Plazhet-Të Gjithë Së Bashku Për T'I Mbajtur Pastër.
TIRANË, 16 Maj/ATSH-Eriola Çuko/ - Shqipëria shquhet për bukuritë e jashtëzakonshme të vijës së saj bregdetare përgjatë Adriatikut dhe Jonit. Rreth 450 km e gjatë, vija bregdetare konsiderohet një prej pasurive më të rëndësishme të vendit, me potencial për të gjeneruar përfitime të ndjeshme ekonomike, por dhe që kontribuojnë në zvogëlimin e varfërisë në këto zona.
Vija jonë bregdetare ka një karakter të ndryshueshëm dhe është e pasur me forma të shumëllojshme, që nga plazhet ranore, kepat, gjiret e mbrojtura, lagunat, plazhet e vegjël zallore, shpellat detare etj. Ndërsa, disa zona janë ende mjaft të pastra nga pikëpamja ekologjike, duke përfaqësuar zona të rralla, ende të paprekura në pellgun e Mesdheut.
Plazhet e shumta të Jonit, midis detit dhe shkëmbinjve të thyer, dhe ata të Adriakut me rërë e ujëra të cekët bregdetare të Jonit e bëjnë bregdetin vend tërheqës për turistët dhe me potencial për zhvillimin e turizmit.
Pikërisht, për këtë potencial turistik që të ofron bukuria e natyrës shqiptare, qeveria ka marrë masa me përmirësimin e infrastrukturës, furnizimin e pandëprerë me drita e ujë, për t'u garantuar pushuesve, vendas dhe të huaj, pushime sa më të mbara.
Por, pavarësisht resurseve të jashtëzakonshme dhe promovimit të turizmit shqiptar, ndikimi në mjedis i aktivitetit ekonomik në rritje, migrimit të pakontrolluar dhe popullsia në rritje në rajonin bregdetar, urbanizimit, përbëjnë kërcënime për zonën bregdetare.
Kështu, në hapje të sezoneve verore, njësitë e qeverisjes vendore thonë se kanë ndërmarrë aksione për pastrimin e plazheve nga mbetjet, si Bashkia Durrës, Shëngjin, etj, por me sa duket kjo nuk mjafton për t'i patur plazhet tona jo vetëm të bukur, por edhe të pastër.
Bashkia e Durrësit ka filluar pastrimin e plazheve, me largimin e leshterikut nga bregu, materialeve inerte dhe mbetjeve te shumta urbane. Më pas, sipas autoriteteve bashkiake, parashikohet "krehja"e rërës, punimi e më tej dezifektimi i saj nga bakteret dhe insektet.
Bazuar në ligjin për turizmin (Neni 18), organet publike qendrore dhe vendore që zotërojnë/administrojnë burime turistike, janë përgjegjës për administrimin e tyre, në përputhje me këtë ligj dhe aktet nënligjore të lidhura me të.
- Mbetjet urbane -
Mbetjet urbane, sidomos gjatë sezonit veror, janë një kërcënim serioz për ndotjen e ujërave detare dhe plazhet. Ndërkohë, rritja e popullsisë në pikun e frekuentimit të plazhit gjatë sezonit veror sjell dhe rritje të sasisë së mbetjeve urbane, të cilat shkaktojnë jo vetëm një pamje joestetike, por është dhe e dëmshme për shëndetin e njerëzve.
"Masa urgjente për pastrimin e zonave turistike nga papastërtitë dhe automjetet e dala jashtë përdorimit, në anë të rrugëve", kërkoi dhe Kryeministri Sali Berisha në një nga mbledhjet e fundit të qeverisë. Gjendja e papastërtisë në prag të sezonit turistik, sipas tij, është e jashtëzakonshme dhe kjo kërkon ndërhyrje emergjente, me të gjitha mjetet, për të pastruar me shpejtësi të gjithë zonën turistike.
Ndërkohë, sipas ministrit të Mjedisit, Fatmir Mediu, "tashmë ka filluar puna konkrete për këtë çështje". "Është një Task-force, e ngritur nga Kryeministri dhe e drejtuar prej tij dhe do të ketë një plan konkret veprimi", tha për ATSH-në Mediu, sipas të cilit, autoritetet lokale dhe shoqata të shoqërisë civile kanë filluar aktivitetin e tyre për këtë qëllim.
"Jemi në fazën e ndërhyrjes së menjëhershme për pastrimin e plazheve dhe kjo edhe me ndihmën e Ministrisë së Mbrojtjes dhe strukturave të tjera të shtetit, por sidomos me një punë të madhe të strukturave lokale", theksoi ai, duke shtuar se "ky është një hap i parë, sepse po shkojmë në politika që nuk do të zhvillohen me aksione, por me plane konkrete, të qëndrueshme, në mënyrë që të mos i kemi situata të tilla më në bregdetin tonë".
Të dhënat nga MMPAU tregojnë se situata është problematike pothuajse përgjatë gjithë vijës bregdetare, ku ka mbetje të ngurta, por vende- vende dhe vatra me mbetje të ndryshme, kryesisht urbane, të krijuara nga personat gjatë shëtitjeve në bregdet, por dhe nga banorët e zonës.
Përveç këtyre, problematike mbeten dhe inertet nga ndërtimet. Pavarësisht se detyrë e kujt është pastrimi i plazheve, Kryeministri ka deklaronuar "nuk mund të rrimë të bëjmë debate, së bashku të angazhohemi të pastrojmë zonat dhe jo vetëm plazhet, por të gjithë Shqipërinë nga çdo hedhurinë automjeti".
- Edukimi -
Situata problematike e mbetjeve nuk duhet parë thjesht dhe vetëm e lidhur me pushtetet, qendror apo lokal. Vatrat e ndyshme të mbetjeve shpesh krijohen nga pushuesit, sidomos ata ditorë, apo banorë në zonë.
"Para së gjithash, ne duhet të marrim masa emergjente dhe qeveria po punon në këtë drejtim. Ky nuk është vetëm një veprim për të pastruar zonat bregdetare, por mbi të gjithë një veprim edukativ", tha për ATSH-në zv.ministri i Mjedisit, Taulant Bino.
Edukimi i njerëzve është një nga elementët e domodoshëm për të patur plazhe të pastra. Njerëzit ankohen për mosvendosje të koshave, por dhe kur këto të fundit gjenden në plazhe, ndodh që mbeturinat të lihen ngado. "Edukimi dhe mbajtja pastër e ambienteve ku rrimë duhet të nisë nga vetë ne. Nëse vetë jemi të ndërgjegjshëm se e bëjmë mirë 'detyrën' tonë, atëherë duhet të kërkojmë më shumë dhe më me forcë nga qeveria të na plotësojë kërkesat", thotë një 55 vjeçare, frekuentuese e plazhit publik në Durrës.
Durrësi është plazhi më i madh dhe më i frekuentuar në sezonin veror. Këtë verë, sipas autoriteteve vendore, do të ketë edhe më tepër kosha në rërë, për të mundësuar një brez më të pastër ranor.
- Ujërat e zeza -
Një ndër faktorët kryesore të ndotjes së ujërave bregdetare janë shkarkimet e ujërave të zeza të patrajtuara në ujërat pritëse bregdetare, direkt ose indirekt.
Nisur nga kjo, gjatë viteve të fundit, me fondet e institucioneve financiare ndërkombëtare dhe të qeverisë u planifikuan dhe janë në ndërtim, ose janë përfunduar, veprat e trajtimit të ujërave të përdorura në qytetet kryesore bregdetare, si në Shkodër, Lezhë, Durrës, Vlorë, Kavajë, Sarandë, Pogradec.
Plani i ndërtimit të impianteve të trajtimit të ujit të ndotur të kanalizimeve (2005-2009) përfshin 11 projekte për ndërtimin e impianteve të trajtimit, me një kosto prej 111 milion euro, të financuar nga qeveria, në bashkëpunim me donatorët. Projekte që janë në proces janë ato në Kavajë-Plazh, si dhe në Tiranë, ndërsa popullsia e shërbyer është përkatësisht 250 mijë dhe 850 mijë banorë.
Përfundimi dhe vënia në funksionim edhe e këtyre impianteve të trajtimit të ujit të ndotur të kanalizimeve pritet të sjellë përmirësim të ndjeshëm të cilësisë së ujërave në zonat ku ata po ndërtohen. /k.sh/