English

PS reagon pas refuzimit të PD të propozimit të Edi Ramës

Tiranë, 16 Maj NOA – Përgjigjja negative që dha mesditën e sotme Patozi lidhur me propozimin e Edi Ramës për t’u tërhequr nga kërkesa e panegociueshme për kutitë e votimit dhe të hapen materialet e zgjedhore, ka sjellë reagimin e Partisë Socialiste.

Deputeti Eduard Shalsi, pas deklaratave të Patosit tha se kishte “një përgjigje të thjeshtë për z. Berisha, që sot foli nëpërmjet z. Patozi” dhe shtoi: “Ju zotëri nuk mund të ndaloni transparencën, nuk mund ta ndaloni hapjen e kutive, nuk mund ti shmangeni një zgjidhje në të mirën e vendit”.

Më tej, z.Shalsi iu drejtua sërish Berishës: “Ju nuk na zmbrapseni dot, as me presione, as me shurdhëri dhe as me justifikime qesharake, që po bëhen përditë e më të neveritshme përballë qëndresës sonë stoike”.

Shalsi vlerësoi se “të gjithë e kanë kuptuar se kjo opozitë ka një shpirt të pathyeshëm. Forca, fuqia, energjia jonë, qëndron tek e vërteta dhe vetëm tek e vërteta e cila ne bëjmë dhe e cila po forcohet përditë, falë mbështetjes së jashtëzakonshme popullore”.

Ndërsa ka përfunduar me një thirrje: “Zotërinj dëgjoni zërin e arsyes, dëgjoni zërin e miqve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë, miqve të Shqipërisë, sa nuk është vonë. “Hapni kutitë ose largohuni” Kjo protestë nuk ndalet, kjo protestë nuk mbaron veçse duke fituar. Kauza jonë nuk mund veçse të fitojë”.

r.n/NOA

KOMENTE