Tiranë, 16 maj NOA - Plagët e kësaj beteje shkojnë duke u shtuar, gjendja e grevistëve duke u rënduar dhe çdo orë që kalon është një përgjegjësi e rritur mbi supet e këtij pushteti që kokëfortësish mban peng një zgjidhje të arsyeshme, atë të transparencës.
Kështu u shpreh z.Edi Rama kryetar i PS, në një prononcim për mediat mesditën e sotme, pak pasi vizitoi grevistët në spitalin infektiv të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”
Rama tha se po përballet me kokëfortësi nga mazhoranca, në zgjidhjen që ai ofron “për t’i hapur rrugë transparencës, duke hapur kutitë e të gjithë dokumentacionit zgjedhor dhe duke pritur nga një instancë e pavarur gjykimin mbi fletët e votimit. Është një domosdoshmëri jetike që kjo zgjidhje të jepet dhe që duke hapur rrugën e transparencës të hapet edhe rruga që çliron zgjedhjet, që çliron procesin demokratik, çliron gjykim e popullit nga trysnin e një pushteti që nuk e lë popullin të zgjedhë. Dua ta theksoj me forcë, se interesi kombëtar, interesi publik, interesi i të gjitha palëve, është që transparenca të bëhet. Sigurisht, kjo mund të bjerë ndesh me interesin e një grushti njerëzish, por një grusht njerëzish nuk mund ta mbajnë mbyllur në grusht demokracinë, shtetin e së drejtës dhe perspektivën e këtij vendi, që po rrënohet ekonomikisht dhe ku familjet shqiptare po ndjejnë dita ditës tu rriten vështirësitë për të jetuar e për të mbijetuar.
Zgjidhja e arsyeshme dhe forca e arsyes, janë sot më qartë se asnjëherë tjetër, bindja jonë për të hapur një perspektivë të re. Arsyeja e forcës dhe zgjidhja e paarsyeshme që kërkohet ti jepet kësaj situate, janë vetëm barrë që rritet mbi supet e vendit dhe të njerëzve dhe përgjegjësinë që shtohet në llogari të qeverisë dhe të kryeministrit posaçërisht e personalisht.
r.n/NOA