English

Rama: Transparenca Garanton Rrugën E Demokracisë Në Vend

TIRANË, 16 Maj/ ATSH- Suada Daci/.- Partia Socialiste dhe aleatët e saj zhvilluan sot protestën e radhës në Bulevardin " Dëshmorët e Kombit", para selisë së Kryeministrisë përballë cadrës ku zhvillohet greva e urisë e deputetëve dhe mbështetësve të tyre, në kërkim të transparencës se zgjedhjeve të 28 qershorit. I pranishëm në këtë protestë, Kryetari i PS-së, Edi Rama, tha se "beteja jonë ka të bëjë me një liri themelore, siç është transparenca, e cila garanton rrugën e demokracisë së vendit". z. Rama hodhi poshtë të gjitha ato zëra që flasin për protesta të dhunshme, pasi sipas tij, "protesta jonë nuk theu asnjë xham, nuk cënoi uniformën e asnjë polici dhe nuk ishte rrezik që i kanosej stabilitetit të vendit dhe qetësisë publike, ashtu siç e konsideronin kundërshtarët tanë politikë". Duke u ndalur te transparenca, ai tha se "askush nuk do na ndalojë drejt transparencës që kërkojmë për të shkuarën, në mënyrë që e ardhmja të mos merret më peng". "Integrimin nuk e pengon transparenca, por kutitë e mbyllura dhe ne nuk jemi në këtë betejë për të marrë pushtetin në tavolinë, por nuk tërhiqemi derisa të sigurohemi që pushteti nuk do të merret më nën tavolinë". Kryesocialisti Rama i bëri thirrje kryeministrit Berisha t'i hapë rrugën transparencës së zgjedhjeve, e cila sipas tij, "mbetet vetëm çështje vullneti". /a.ke/
KOMENTE