English

Reportazh - Elbasan: Qendra Kurative E Llixhave, Mes Vlerave Kurative Dhe Turistike

ELBASAN, 16 Maj /ATSH-Miranda Sadiku/. - Sapo përshkon 11 kilometra rrugë në juglindje të qytetit të Elbasanit, një tabelë të orienton drejt Gamshit e Llixhave të Elbasanit. Ndërtuar mes kodrave dushkore e pishave të buta, me rrugë automobilistike, me një liqen të madh artificial pas kodrës së Treganit, Llixhat njihen si zona kurative e shumë sëmundjeve, reumatizmale, artroza, sëmundje të sistemit nervor, gjinekologjik, enëve të gjakut, aparatit tretës, etj. Qe nga koha kur te paret njohën vlerat kurative të këtij uji që del i nxehtë nga malet, nevoja për të ka ardhur deri në ditët tona ku për fat, sasitë e ujit nuk kanë shteruar kurrë. "Mosha" e ujërave termale llogaritet në rreth 5 shekuj, por vetëm në shekullin e XX-të mund të thuhet se shfrytëzimi kurativ i zonës nisi të hyjë në rrugën e shkencës mjekësore. Njihen vitet 1910- 1915 kur specialistët austriakë, të cilët erdhën pas ushtrive pushtuese të vendit, themeluan këtë qendër kurative dhe turistike. Tubacionet prej qeramike që shtruan specialistët janë në gjendje të mirë edhe sot, pas rreth një shekulli, të cilët shpërndajnë ujin e nxehtë deri në një kilometër, pa e ulur temperaturën. Në dokumentat e ruajtura në bibliotekën publike "Qemal Baholli", për qendrën kurative të Llixhave, thuhet se kjo qendër mori vëmendjen në fillim të shekullit XX, nga Mbreti i atëhershëm i shqiptarëve Ahmet Zogu. Ky i fundit kërkoi të sillej një specialist nga Çekosllovakia, vendi që njihej mjaft për shfrytëzimin e ujërave termale. Mjeku i sjellë në Elbasan bëri një vlerësim mjaft dobiprurës për këto ujëra të përcaktuara si shëruese për një mori sëmundjesh. Në përfundim të studimit të ujit, u renditën edhe sëmundjet, të cilat mund të kurohen nga uji i Llixhave. Pranvera dhe vera janë stinët që popullojnë Llixhat e Elbasanit. Kjo për faktin se vlerat kurative të ujrave termale, japin efekt në muajt prill - maj dhe gusht - tetor. Hoteli i ndërtuar nga austriakët (Hotel Parku) vazhdon të ruajë edhe sot stilin alpin dhe që mbas viteve '50 do të ristrukturohej nga familja Nosi. - Rinis sezoni kurativ në Llixha- Nuk ka qytet të Shqipërisë që të mos ketë sjellë në Llixha "të sëmurët" e tij për t'u kuruar. "Deri tani mund të kenë ardhur rreth 600 pacientë në Llixha për t'u kuruar", thotë kryetari i Komunës, Durim Çekrezi. Ai shton se ky fluks do të vijë në rritje, ndërsa gjatë të gjithë vitit janë 25 mijë pacientë, por edhe turistë që vizitojnë Llixhat. Servetja është një paciente e përhershme në gjysmën e dytë të muajit maj. Ajo akomodohet në një hotel dhe kryen banjë një herë në ditë. "Vuaj nga reumatizma dhe mjeku më ka rekomanduar që një herë në vit të vijë në Llixha. Sa hërë që vij, me zor mund të eci nga këmbët. Ndërsa ndryshimin e ndjej mbas tre ditësh", thotë ajo, qe nuk le pa përmendur edhe ndryshimet që po vihen re nga viti në vit në këtë qendër kurative. "Hotelet të ofrojnë kushte komode, si nga brenda ambjenteve, ashtu edhe nga jashtë. Gjelbërimi, pastërtia, ushqimi, si edhe specializimi i mjekëve, nga viti në vit po e bëjnë shumë të vizitueshme këtë qendër kurative" thotë ajo. Jo më kot, në hyrje të kësaj qendre rreth katër dekada më parë një skuplturë paraqiste të moshuarin e sapo kuruar tek thyente shkopin mbi të cilin mbështetej, pasi nuk kishte më nevojë për të. Në fakt, kjo skulpturë tashmë nuk është më, por janë qindra ata që vijnë nga ana e anës për t'u kuruar nga sëmudje reomatizmale, shumë herë të sjell me vigje dhe që kthehen prej andej nga erdhën me këmbët e tyre. Pacientët shprehen shumë të kënaqur dhe largohen me mendimin për t'u rikthyer sërisht. Llixha frekuentohet shumë edhe nga çifte të rinj, të cilët nuk mund të lindin dot. Pacientë të ndryshëm që vuajnë nga sëmundje reumatizmale, artroza, sëmundje të sistemit nervor, gjinekologjik, të enëve të gjakut, aparatit tretës, kanë prenotuar hotelet private për kurim. Ata kanë ardhur nga të gjitha rrethet, Shqipëria e Mesme dhe e Jugut, por edhe nga Kosova e Maqedonia. Në këtë zonë ndodhet dhe hoteli shtetëror "Ylli" dhe "Hoteli i Ri" që varen nga Këshilli i Qarkut. Ndërkaq, në Llixha janë edhe 16 hotele private, të cilët përbëhen nga një personel i kualifikuar mjekësor. - Efektet e ujrave termalë - Efekti i ujrave termale nuk është vetëm për sëmundjet e kockave. Banjot me ujë të nxehtë shoqëruar edhe me lyerjen e trupit me baltë, bëjnë një lloj "transplanti" të gjakut. Gjithashtu, konsiderohet një kurë mjaft e mirë për rigjenerimin e lëkurës së trupit e të fytyrës. Trajtimi me baltën minerale të Llixhës ndihmon në zhdukjen e rrudhave dhe i rikthen shkëlqimin lekurës. Ujrat e nxehta dhe me gaz që ndodhen në brendësi u nënshtrohen një sërë proçeseve hidrogjeologjike që arrijnë një temperaturë në 60 gradë në burime. Ujërat përmbajnë dhjetë elementë kimike, që i bëjnë Llixhat mjaft kurative në shumë sëmundje. Gjithashtu, në hotelet e Llixhës të pajisur me mjekë dhe infermierë, trajtohen sëmundje të shumta të rrugëve të frymëmarrjes, sistemit nervor, të lëkurës, stomakut, etj. Uji i ftohtë ruan vetëm erën e squfurit që për shumëkënd, duket se është i padurueshëm. - Investimet - E shpallur zonë turistike në maj të vitit 2006, Llixha ka pësuar shumë ndryshime gjatë viteve të fundit. Me një investim prej 32 milion lekësh u bë i mundur rikonstruksioni total i rrugës në qendër të zonës kurative, fond ky i dhënë nga qeveria shqiptare nëpërmjet granteve konkuruese. Gjithashtu gjatë këtij viti me një fond prej 18.6 milion lekësh dhënë nga FSHZH, përfundoi rikonstruksioni i aksit rrugor Rruga e Qendrës Kurative Llixha - Hidraj, si edhe rruga e fshatit Tregan, me një fond prej 30 milion lekësh, akorduar nga FSHZH dhe vetë komuna. Kryetari i Komunës Tregan, Durim Çekrezi, pohon për ATSH-në se "invetimet e sipërpërmendura janë realizuar gjatë vitit 2009 e në fillim të vitit 2010". Po sipas tij, "me realizimin e këtij investimi, Llixha nuk do të vizitohet vetëm nga pacientë, por edhe nga turistë të huaj dhe vendas, për vetë kushtet klimatike dhe natyrën që e rrethon". Kodra e rrethuar me dushk i jep Llixhave freskinë dhe bukurinë joshëse edhe me dhjetra lokale piktoreskë mbi kodra e në faqe kodrash. Në të djathtë e në të majtë, hotele të vjetër e të rinj, të cilët ndërrojnë pacientët e tyre dy herë në muaj. Çekrezi shton se "nuk do të jetë e largët dita që qendra kurative e Llixhave do të ketë dy vlerat dhe pamjet e saj, atë të vlerave të rralla turistike dhe të vlerave më tepër se të rralla kurative". /a.ke/
KOMENTE