Tiranë, 16 Maj 2010 NOA Update minutë pas minute 18.38’ – Janë rikthyer para pak minutash protestat e nisura më 30 prill në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” me premtimin se rezistenca do të vazhdojë.
Lindita Nikolli duke folur mbi grevën e urisë tha se ajo do të vazhdojë, me qëllimin e vetëm, kryerjen e transparencës.
Duke folur para tubuesve, mbështetës të opozitës, në podiumin e ngritur pranë çadrave të grevistëve të urisë, Nikolli akuzoi kryeministrin Sali Berisha se është duke penguar zhbllokimin e situatës por e siguroi atë se nuk bëhet fjalë për të toleruar në kërkesën e transparencës së zgjedhjeve të 28 qershorit 2009.
Më tej e mori fjalën deputetja Vasilika Hysi, ish-kryetare e Komitetit Shqiptar të Helsinkit. Hysi evidentoi akuzën e mazhorancës për mungesë transparence në grevën e urisë dhe bëri thirrje që të hiqet dorë nga të tilla deklarata.
Hysi siguroi se “grevistët e urisë kanë dalë të pangrënë nga çadrat”, duke dashur të përgënjeshtrojë zërat se të ngujuarit ushqehen rregullisht brenda ambienteve të grevës së urisë.
“Bëj thirrje të rezistojmë sepse rezistenca jonë është e nevojshme”, - apeloi Hysi duke kërkuar më tej që të gjithë të mbështesin “kauzën e transparencës”.
Pas Hysit e ka mbajtur fjalën e rastit, deputeti socialist Eduard Shalsi, ish-kryetar i Bashkisë së Tiranës: “Është koha që të mos lejojmë Berishën të mbajë peng fatet e vendit, është koha të lejojmë popullin të marrë në dorë fatin e tij”, - ishte thirrja e Shalsit.
Ai theksoi se transparenca zgjedhore është një kusht, por ky kusht siç theksoi, është i domosdoshëm “për të patur një Shqipëri demokratike, më të begatë”.
Shalsi foli dhe për reagimin që ka patur me sms dhe email-e nga qytetarët dhe veçoi një mesazh që tha se ia dha një vajzë e vogël për Elsa Lilën:
“Vajza e vogël kishte përshëndetur Elsën, por nuk kishte mundur t’i dhuronte dot një lule, por e kishte përshëndetur me shumë përzemërsi nga larg. Ajo vajzë donte t’i jepte një letër Elsës, ku kishte vizatuar një zemër”.
Me këtë rast që tregoi Shalsi tha se donte të tregonte se nuk janë vetëm njerëzit në moshë të thyer që janë pranë protestës së opozitës por edhe mosha e re siç theksoi.
Radhën pas Shalsit e kishte Spartak Ngjela i cili tha se më 14 maj në protestë ishin të pranishëm 250 mijë shqiptarë që sipas tij, “e detyruan tiranin të qëndrojë 2 mijë kilometra larg”, duke nënkuptuar ditën kur kryeministri Berisha ishte në Kroaci në një takim të BERZH-it.
Më tej, Ngjela si zakonisht ka vazhduar ritualin e kërcënimeve që i ka përdorur me doza të larta në fjalimet e përditshme dhe madje tha se “tani që kemi 35-40 të plagosur jemi gati të përballemi me çdo lloj sfide”.
r.n/NOA vijon...