English

Shkodër : Unaza Lindore, Shemben 90 Objekte Në Periferi Të Qytetit

SHKODËR, 16 Majl/ATSH-G. Marku/- Inspektoriati Ndërtimor në bashkinë e Shkodrës ka shembur 90 objekte, mes të cilave shtëpi banimi, njësi shërbimi, mure rrethuese, etj, duke i hapur rrugë kështu investimit të qeverisë shqiptare për ndërtimin e Unazës Lindore në periferi të qytetit në veri të vendit. Roland Çomo, kryeinspektor i Inspektoriatit Ndërtimor në bashkinë e Shkodrës, tha sot për ATSH-në se aksioni është përqëndruar në lagjet periferike të qytetit, në Draçin, Mark Lulaj, Tre Heronjtë dhe Partizani. Shembja e 90 objekteve përbën fazën e parë të aksionit në këto lagje ku parashikohen të shemben 260 objekte. "90 objektet e shembura së fundi ishin dhe më problematikët për firmën që do të ndërtojë unazën lindore të qytetit", tha Çomo. Sipas tij, paralelisht me ndërhyrjet e inspektoriatit ndërtimor për shembjen e objekteve, firma përkatëse po punon për heqjen e inerteve duke krijuar terrenin e përshtatshëm për zbatimin e projektit në fjalë. Unaza lindore e Shkodrës, një investim prej 4.5 milion euro i qeverisë shqiptare, do të jetë e gjatë rreth 5 kilometra dhe e gjerë 10.5 metër. Sipas projektit ajo do të ketë trotuare në të dy anët e saj, gjelbërim, ndriçim, etj. Ajo fillon nga hyrja e qytetit, në zonën e ish- pazarit të vjetër, duke vijuar në krahun e djathtë pas hotel Argentit, nënstacionit elektrik Shkodra 2 dhe përshkon disa lagje periferike që kufizohen me lumin Kir, për të mbërritur në lagjen "Partizani". Këtu do të bashkohet me unazën perendimore, punimet e së cilës kanë përfunduar vitin e kaluar. Unaza Lindore pritet të ndikojë në lehtësimin e qarkullimit rrugor në qytetin verior, pasi ky aks rrugor të çon në Zonën Industriale të qytetit si dhe do të lidhet me superstradën Shkodër-Hani Hotit. /k.sh/
KOMENTE