Tiranë, 16 maj, NOA – Protestuesit socialistë janë gdhirë sot në ditën e gjashtëmbëdhjetë të grevës së tyre të urisë, të cilën e kanë iniciuar që mbrëmjen e 30 prillit, para godinës së Kryeministrisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” të kryeqytetit.
Burime nga selia rozë bëjnë me dije këtë mëngjes për agjencinë e Lajmeve NOA, se është dërguar menjëherë në spital pas gjendjes së rënduar shëndetësore, deputeti i PS-së, Agim Leka.
Ai përbën në këtë mënyrë anëtarin e 42 të grevës së urisë, i cili detyrohet ta ndërpresë atë për shkak të përkeqësimit të kushteve shëndetësore, siç ka qenë një ditë më parë përshembull edhe deputeti i njohur, Arben Malaj.
Ndërkaq, edhe pse me të tilla sinjale në rritje të largimeve nga greva, socialistët duken mëse të vendosur për ta vazhduar atë.
Dje në një konferencë për shtyp, kryeministri Berisha u ka qëndruar sërish rigoroz përgjigjeve lidhur me qëndrimin që ai mban ndaj kërkesave të grevistëve, si ajo tashmë e njohur, për hapjen e kutive të 28 qershorit.
n.e/NOA