Sport-Futboll/ Kombëtarja Shqiptare Përgatitje Në Luz Për Miqësoret Ndaj Malit Të Zi Dhe Andorrës
TIRANË, 16 Maj / ATSH- Gjergji Mima/ - Kombëtarja shqiptare e futbollit do ta zhvillojë në Luz të Kavajës fazën përgatitore për dy takimet miqësore ndaj Malit të Zi në 25 maj në Podgoricë dhe ndaj Andorrës në 2 qershor në Tiranë.
Këtë e ka bërë të ditur Federata Shqiptare e Futbollit që ka publikuar programin stërvitor të përfaqësueses shqiptare.
Lojtarët do të grumbullohen në 19 maj, ku do të zhvillojnë nga dy seanca stërvitore në ditë. Në datë 21 maj ora 17:00 do të zhvillohet një takim miqësor me përfaqësuesen U-19 të Shqipërisë.
Në datë 24 maj futbollistët e kombëtares do të nisen për në Mal të Zi ku do të zhvillojnë takimin miqësor dhe më pas do të rikthehn në Shqipëri ku do të zhvillojnë stërvitjen në Luz, deri në datën 2 qershor kur do të luajnë me Andorrën në stadiumin Kombëtar, "Qemal Stafa".
Trajneri i kombëtares, Josip Kuzhe ka publikuar dje listën për këto dy miqësore të përbërë nga 25 lojtarë, ku të hënën pritet t'i shtohet edhe një portier i tretë, pasi Arjan Beqaj është dëmtuar në momentet e fundit. /k.sh/