English

Sport-Merkato/ Debatik Curri Nënshkruan Për Gençlerbirligi Në Kampionatin Turk

TIRANË, 16 Maj/ATSH- Gjergji Mima/ - Mbrojtësi kosovar i kombëtares shqiptare të futbollit, Debatik Curri nënshkroi sot një kontratë tre vjeçare me klubin turk Gençlerbirligi, të cilit do t'i bashkohet nga sezoni i ardhshëm. 26 vjeçari i dha fund kështu eksperiencës së tij gati 5 vjeçare me klubin ukrainas, Vorskla Poltava. Lajmin e bëri të ditur vetë mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare, që dukej i kënaqur me vendimin e marrë. "Kam nënshkruar me Gençlerbirligin për tri vjet. Kushtet që më ofroi ky klub më bindën. Konsiderova se kishte ardhur koha që ta ndërroja ekipin dhe doja që të luaja në një ekip evropian më të afërt. Natyrisht, vendosi edhe niveli i futbollit turk, që është i lartë", tha Curri për mediat. Mbrojtësi shqiptar kishte kontratë me Vorsklan edhe gjashtë muaj, por ai tregoi se palët janë marrë vesh dhe se Curri do t'i bashkohet Gençlerbirligit, ku luan edhe kosovari tjetër Labinot Harbuzi. Edhe klubi turk, në faqen e vet zyrtare, ka shkruar për nënshkrimin e kontratës me Currin. "Në kuadër të përgatitjeve për edicionin e ri, klubi ynë ka filluar me transferime dhe në kuadër të kësaj ka nënshkruar me futbollistin shqiptar Debatik Curri. Futbollisti i Vorskla Poltavas, nga elita e futbollit e Ukrainës, është i gjatë 189 cm dhe në 94 paraqitje ka realizuar 19 gola. Ai ka veshur 29 herë fanellën e kombëtares shqiptare", shkruhej në faqen e Gençlerbirligit. /k.sh/
KOMENTE