Tiranë- Ps Vazhdon Grevën
-Për shkak të problemeve shëndetësore sot në mëngjes janë transportuar në spital deputetët Klosi dhe Leka -
TIRANE, 16 Maj/ATSH- A.Gegvataj/- Greva e urisë që një grup deputetësh dhe mbështetësish të Partisë Socialiste po zhvillojnë në kampingun e ngritur përpara selisë së qeverisë në Tiranë, me kërkesën për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit të vitit të kaluar, ka hyrë sot në ditën e 16-të.
Sipas informacioneve zyrtare në orët e para të mëngjesit të sotëm kanë lënë grevën e urisë dy deputetët socialistë, Blendi Klosi dhe Agim Leka, të cilët për shkak të gjendjes shëndetësore janë transportuar për trajtim mjekësor në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza".
Mjeku Sabit Brokaj, i cili ka ndjekur gjendjen e grevistëve prej fillimit të kësaj greve, tha sot në një prononcim për mediat se "është e pritshme që problemet shëndetësore të grevistëve të jenë edhe më serioze", duke pasur parasysh faktin se sot greva e urisë ka hyrë në ditën e 16-të.
Duke folur për gjendjen shëndetësore të deputetit Blendi Klosi, Brokaj pohoi se "Klosi vuan nga diabeti dhe kishte çrregullime si pasojë e sëmundjes".
Nga greva e urisë është larguar sot në mëngjes dhe deputeti i Elbasanit, Agim Leka i cili sipas mjekut Brokaj, "u transportua në spital në gjendje të rëndë shëndetësore".
Mbrëmjen e 30 prillit, 22 deputetë dhe 180 simpatizantë të Partisë Socialiste nisën një grevë urie në disa çadra të ngritura në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", me kërkesën për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Deri tani nga greva janë larguar 43 persona, për shkak të problemeve shëndetësore.
Në asnjë nga këto ditë të zhvillimit të grevës, liderët e PS-së nuk kanë lejuar hyrjen e ekipeve shëndetësore zyrtare për të ekzaminuar çdo grevist.
Në këtë drejtim Kryeministri Berisha është shprehur se "mbyllja e dyerve të shërbimit shëndetësor përbën aktin më të rëndë, më ekstrem dhe më të paprecedentë në historinë e kampeve të përqedrimit, burgjeve apo grevave".
"Për të treguar se nuk ka asgjë personale për të fshehur, Edi Rama duhet të lejojë bluzat e bardha të kontrollojnë grevistët. Edi Rama kërkon transparencën e kutive, por nuk bën transparencën e çadrave", është shprehur Berisha.
/k.sh/