Tregu Valutor - Leku Fiton Terren Ndaj Euros
TIRANE, 16 Maj /ATSH-E.Xhajanka/.- Ndryshimet në tregun valutor të kryeqytetit në javët e fundit kanë qenë të theksuara. Euro është monedha më e spikatur që po humb terren në raport me lekun, por edhe me monedhat e tjera. Te dielen një euro këmbehej në blerje me 136 lekë dhe në shitje 136.5 lekë.
Ndërsa raporti i këmbimit dollar- lekë ecën në kah të kundërt. Një dollar këmbehet me 106.7 lekë në blerje dhe 107.2 lekë në shitje.
Të dhënat më të fundit të Bankës së Shqipërisë tregojnë se në tremujorin e parë të këtij viti, pozita e lekut në raport me monedhat kryesore, euro dhe dollar, në tregun e brendshëm tregon për nënçmim të tij në terma mesatarë vjetorë përkatësisht me 8.22 për qind dhe 1.62 për qind.
Sipas Bankës Qëndrore, kjo tendencë e ngadalësimit të ritmeve rënëse të lekut në raport me shportën e monedhave kryesore ka ardhur si pasojë e zbehjes së efektit sezonal, i cili karakterizon tremujorin parë të çdo viti.
Po ashtu edhe korrektimi i deficitit tregtar, si rrjedhojë e reduktimit të importeve dhe rritjes së eksporteve në dy muajt e parë të vitit, ka kontribuar në zbehjen e presioneve nënçmuese në tregun valutor të këmbimit. /a.ke/