English

Vlorë: Kushte Të Paqëndrueshme Moti, Reshje Të Përkohshme Shiu

VLORË, 16 Maj/ATSH-H.Koçi/.-Situata e paqëndrueshme atmosferike që ka përfshirë gjirin detar të Vlorës prej ditës së shtunë do të vazhdojë të mbizotërojë edhe gjatë së dielës. Moti do të karakterizohet nga zhvillime të dendura resh, që do të shoqërohen me reshje të përkohshme shiu, veçanërisht në orët e mesditës, si dhe me rënie të lehtë të vlerave të temperaturave krahasuar me një ditë më parë. Intensiteti i erës, që pavarësisht se do të jetë shumë më i ulët krahasuar me të shtunën, do të bëjë që kushtet e lundrimit të jenë të pafavorshme. Burime të kapitenerisë së portit bënë të ditur për ATSH-në se sot era do të ketë drejtimin në kuadratin Perëndim-Jugperëndim, me shpejtësi që do të variojë nga 6-8 m/sek, deri në 10-12 m/sek në afërsi të bregut të detit. Temperaturat e ajrit do të arrijnë vlerat maksimale në 22-24 gradë celcius dhe ato minimale në 10-12 gradë celcius. Valëzimi parashikohet të jetë 2-3 ballë brenda gjirit detar dhe 6-7 ballë në det të hapur. Trageti "Red Star" i linjës detare Brindisi-Vlorë nuk do të lundrojë sot në itinerarin e kthimit drejt portit italian, për shkak të grafikut. /k.sh/
KOMENTE