English

Arta Dade: Grevistëve po u preket dhe zemra

Tiranë, 17 maj, NOA – Përveç gjendjes së rënduar shëndetësore të shkaktuar nga ditët e shumta në mungesë të ushqimit, tashmë grevistët socialistë po shfaqin edhe mjaft probleme me zemrën e tyre.

Një fakt të tillë e ka bërë me dijeni deputetja socialiste, Arta Dade, sipas të cilës probleme të tilla ka shfaqur përshembull deputeti Agim Leka i larguar dje në reanimacion në gjendje të rëndë, por edhe grevisti i Mallakastrës dhe ai i Fierit, të cilët e kanë lënë tashmë çadrën ku ishin ngujuar në grevë urie.

“Ajo që ka ndodhur në ditën e shtunë, flas për sulmin e paprecedentë ndaj diplomatëve të huaj, kur Berisha mohoi ekzistencën e formulës së zgjidhjes së krizës prej tyre, është e paprecedentë”, tha ajo më pas.

Duke shprehur “keqardhjen e thellë për reagimin e Berishës”, ajo tha se këto dy ditë duhet të sqarohet patjetër ai që ajo e ka quajtur si “incident i rëndë diplomatik.

“Eshtë vërtet qesharake që demokratët pohojnë se nuk duan të shkelin rregullat që përmbahen në kodin zgjedhor, kur gjithçka rrodhi pikërisht nga shkelja e kodit gjatë zgjedhjeve”, tha ajo.

Së fundmi, ajo tha se mazhoranca duhet ta zgjidhë sa më parë situatën politike, sa ajo nuk ka degjeneruar akoma dhe “deri sa ajo të mos arrijë aty sa të mos mbajë më”, pasi mazhoranca e ka humbur logjikën dhe toruan.

a.y/NOA

KOMENTE