Radushë, 17 maj, NOA - Pas zërave dhe kërkesave për hetime dhe ekspertizë për rastin e Radushës dhe ndriçimin e këtij incidenti që përfundoi me katër viktima, duke përfshirë edhe Harun Aliun, kryetarin e AK-së, ministria e Brendshme Maqedonase ka theksuar se këto kërkesa nuk kërkojnë vëmendje dhe se nuk janë serioze.
“Ne nuk duam të trajtojmë çështje të tilla që nxiten për çështje ditore politiko-partiake. Ne punojmë në bazë të respektimit të punës së organit tonë. Rasti i Radushës u pa se u eliminua nga një grup kontrabanduesish dhe kishte transparencë. Unë nuk di se nga kush do të kërkojnë ekspertizë apo hetime. Por e vlerësojmë këtë si diçka joserioze”, ka theksuar zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski.
Vrasja e katërfishtë në mëngjesin e së mërkurës në dalje të Radushës nga një pjesë e partive politike u vlerësua si proces i montuar, duke u ndërlidhur në fotografitë e publikuara nga MPB-ja të mjetit të dëmtuar, në të cilin u tha se kishin qenë katër personat e vrarë, që sipas policisë kishin shtënë në drejtim të forcave speciale, duke mos respektuar urdhrin e ndalesës. Por dyshime janë hedhur edhe nga plagët dhe dëmtimet në trupat e pajetë të Harun Aliut dhe Shaban Zenunit, të cilët kanë pasur plagë të ndryshme të dëmtuara në trup nga dhuna fizike, përveç plagëve të goditura nga plumbat.
Një nga variantet e ngritjes së hetimeve për rastin është nisma që duhet të ngritët nga ndonjë iniciativë qytetare, apo nga parlamenti.
Deputeti i BDI-së, Tahir Hani ka theksuar se do të shqyrtohet çdo kërkesë e tillë në rast se parashtrohet pranë parlamentit. “Ne si parti sot do të kemi një takim për situatën aktuale në Maqedoni, duke përfshirë edhe incidentet e fundit dhe nga ky takim do të kemi qëndrime më të qarta”, ka theksuar deputeti Hani. Partitë e tjera politike kanë theksuar se do të mbështesin çdo nismë të tillë për këtë rast. Jo zyrtarisht, mësohet se në mesin e deputetëve shqiptarë pritet të diskutohet një nismë e tillë. Nga ana tjetër, është problematik edhe procesi gjyqësor e dënimi i shqiptuar për Harun Aliun me burgim të përjetshëm nga ana e Gjykatës Themelore të Shkupit.
Avokatët mbrojtës të Aliut, që ende e kanë në procedurë rastin për akuzën e ngritur për vrasjen e pjesëtarit të njësisë speciale Zoran Markovski, theksojnë se rasti ndaj klientit të tyre nuk do të mbyllet derisa në të gjitha instancat nuk deklarohet ai se është fajtor. “Edhe pse ata ishin dënuar me burgim të përjetshëm, faji i tyre nuk është vërtetuar qartë, në mungesë të fakteve dhe dëshmive. Për momentin ka ankesë në Gjykatën e Apelit”, ka theksuar avokati Vencisllav Gushev, që ka mbrojtur Harun Aliun në rastin e vrasjes së policit në vitin 2008, për të cilin rast u akuzua si organizator kryetari i AK-së, Harun Aliu. Edhe rasti i të ndjerit Shaban Zenuni nga Merova, i cili u vra në Radushë ka ngritur shumë pikëpyetje dhe paqartësi, pasi që ai është një nga 22 pjesëtarët e akuzuar të UÇK-së për rastin e maltretimit të punëtorëve maqedonas të Mavrovës në vitin 2001. Ditët në vijim do të përcaktojnë dosjen “Radusha”, hapjen ose jo të kësaj lënde, për të ndriçuar rrethanat e vrasjes në mëngjesit e së mërkurës së kaluar në dalje të Radushës, kur nga një pritë e organizuar nga MPB-ja u vranë Harun Aliu, Xhafer Shala, Shaban Zenuni dhe Qemal Mustafa nga fshati Gërçec.
Ndërkaq, ministria e Brendshme ka liruar dy banorët e fshatit Bukoviq të komunës së Sarajit, të cilët ishin arrestuar disa orë pas incidentit në Radushë.
Pas mbajtjes së tyre nuk është konfirmuar përfshirja e tyre me grupin e armatosur. Gjithashtu policia ka lënë të lirë edhe tre djemt e Demir Miftarit nga fshati Novo Sellë i Tetovës, të cilët gjithashtu ishin ndaluar në polici, pas bastisjes së shtëpisë së tyre ku u gjetën armë.
NOA-INA