Bsh: Treguesi I Besimit Te Konumatorit Per Sektorin E Ndertimit, U Rrit Me 7.7%
TIRANE, 17 Maj /ATSH-E.Xhajanka/- Treguesi i besimit të konsumatorit ndaj zhvillimeve në sektorin e ndërtimit (TBN) është rritur me 7.7 pikë përqindje në tremujorin e parë 2010, duke qëndruar gjithsesi 10.7 pikë përqindjeje nën mesataren e tij afatgjatë, bën të ditur Banka e Shqipërisë në raportin e fundit të saj mbi zhvillimin ekonomik.
Sipas BSH-së, rritja e treguesit është shkaktuar nga zhvillimet pozitive në tre komponentët përbërës të tij.
Kërkesa dhe punësimi në ndërtim janë vlerësuar më pak negativisht: balanca e tyre u rrit përkatësisht me 4.7 dhe 4.0 pikë përqindjeje, duke mbetur gjithsesi në nivele negative. Gjithashtu, edhe pse ende negative, balanca e prodhimit shënoi rritje me 14.3 pikë përqindje, krahasuar me tremujorin e mëparshëm.
Vlerësimi i bizneseve të ndërtimit për ecurinë e ekonomisë në përgjithësi, megjithëse në përmirësim të ndjeshëm nga vrojtimi i kaluar, mbetet në nivele të ulëta negative edhe për vrojtimin aktual (balanca neto -21.3 për qind).
Në tremujorin e parë 2010, bizneset kanë raportuar se kuadri ligjor dhe mungesa e lejeve të ndërtimit kanë pasur ndikimin më të madh në pengimin e aktivitetit normal të tyre.
Lidhur me kontratat porositëse, rreth 51.7% e bizneseve ndërtuese i kanë vlerësuar si të pamjaftueshme.
Shfrytëzimi i kapaciteteve ndërtuese në tremujorin e parë 2010 rezultoi rreth 65.7 për qind, që përbën një rritje prej 4.5 pikë përqindjeje nga tremujori i kaluar.
Bizneset kanë vlerësuar në rritje inventarët e tyre dhe të përkeqësuar gjendjen financiare. Pas një rënie të lehtë në tremujorin e katërt 2009, çmimet e prodhimit kanë vijuar të rriten në tremujorin aktual.
Bazuar në vrojtimin e fundit, rreth 80 për qind e bizneseve ndërtuese nuk kanë kryer investime të reja gjatë 6-mujorit të fundit.
Pritjet për tremujorin e dytë 2010 tregojnë për një përmirësim të pritshëm në sektorin ndërtimit, ndërsa sinjalizojnë një prirje të lehtë rënëse për çmimet e prodhimit.Bizneset e sektorit të ndërtimit nuk presin të kryejnë investime të reja në struktura dhe pajisje teknologjike në 6-mujorin e ardhshëm./n.m/