Hagë (Holandë), 17 maj, NOA – Dëshmia e sotme në Hagë, nga dëshmitari i mbrojtur K-87, ka zbardhur një pjesë të mënyrës sesi ideoheshin masakrat ndaj shqiptarëve.
Dëshmitari ka deklaruar në Tribunalin e Hagës, se në pranverë të vitit 1999, gjenerali i policisë, Vllastimir Gjorgjeviç, e ka urdhëruar atë që kufomat që ishin transportuar nga Kosova, të varroseshin në bazën e Ministrisë së Brendshme të Serbisë në Batajnicë.
Vllastimir Gjorgjeviç, ish-kryeshef i sigurimit publik të Serbisë, është i akuzuar për zhvendosje të dhunshme, deportim, vrasje dhe dëbim të shqiptarëve nga Kosova, në gjysmën e parë të vitit 1999.
Dëshmitari i mbrojtur tha se “vetëm i ka zbatuar urdhrat”. Trupat e pajetë, që me kamiona nga Kosova ishin dërguar në bazën në Batajnicë, janë varrosur në varrezën masive.
Në mënyrë të njëjtë, i akuzuari Gjorgjeviç, ditëve të ardhshme, tri ose katër herë e kishte thirrur dëshmitarin dhe i kishte paralajmëruar ardhjen e kamionit me kufoma, ndërsa dëshmitari i mbrojtur K-87, e kishte organizuar varrimin.
Sipas akuzës, kufomat e civilëve të vrarë shqiptarë, sipas urdhrit të presidentit të atëhershëm të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviç, policia i kishte dërguar kufomat në Serbi për t’i fshehur gjurmët e krimit, raportojnë agjencitë beogradase.
Në disa vende në Batajnicë janë zhvarrosur më se 880 trupa të pajetë.
m.xh/NOA/RFE