Durrës: Qendra Operacionale Detare Rrit Standartet E Sigurisë Së Kufijve
-I pranishëm në ceremoninë e përurimit, edhe Kryeministri Berisha -
DURRËS, 17 maj /ATSH-Gëzim Kabashi/ - Qendra moderne operacionale për kontrollin e kufijve detarë që u përurua zyrtarisht sot paradite në Durrës, përbën një domosdoshmëri për arritjen standarteve evropianë të sigurisë së kufijve.
I pranishëm në ceremoninë e përurimit, Kryeministri Berisha vlerësoi përkushtimin e ushtarakëve të forcave detare dhe të policisë së kufirit, të cilët së bashku me përfaqësuesit e dikastereve të tjerë po punojnë së bashku për konkretizimin e ligjit për kontrollin e integruar të kufijve.
"Sistemi i radarëve të vendosur në bregdetin shqiptar me një vlerë prej 2.4 miliardë lekë, ka sjellë një teknologji moderne që do të shtojë kapacitetet në operacionet e kërkimit shpëtimit në det", tha kryeministri Berisha, duke çmuar se "deti është një burim kënaqësish, por shpesh herë ai bëhet burim fatkeqësish të thella njerëzore, që ne shqiptarët i kemi përjetuar jo pak".
Por Kryeministri tha edhe se "sistemi i kontrollit detar u jep mundësinë njësive detare dhe tokësore që të vëzhgojnë hapësirën në luftë kundër trafiqeve kriminale, kontrabandës dhe trafiqeve të tjera të paligjshme", duke vlerësuar veprimtarinë konkrete të qendrës operacionale të realizuar gjatë muajve të fundit.
"Falë sistemit të radarëve ju keni bllokuar sasi të mëdha ngarkesash kriminale", nënvizoi Berisha, duke theksuar se tashmë ujrat shqiptare janë ujra detare të sigurta.
"Bashkëpunimi me Rojet bregdetare të Italisë dhe Greqisë do ta bëjë Adriatikun rajon sigurie nga Sllovenia deri në Karaburun dhe në Korfuz", shtoi më tej Kryeministri gjatë ceremonisë ku morën pjesë ministra, deputetë, drejtues të forcave ushtarake, pushtetit vendor dhe përfaqësues të vendeve të huaja të akredituara në Shqipëri./ch/