Ekonomi - Buxheti I Be-Së - Shtetet I Kërkojnë Ke-Së Më Tepër Kursime
BRUKSEL, 17 maj /ATSH-AFP/ - Qeveritë evropiane, nën presionin e Brukselit për zvogëlimin e deficiteve i kërkojnë gjithashtu Komisionit Evropian më tepër kursime në projektbuxhetin e BE-së për vitin 2011, që parashikon një rritje të shpenzimeve të funksionarëve prej 4,5 për qind.
Ky projektbuxhet pritet të diskutohet nesër nga ministrat evropianë të Financave dhe debati duket i ashpër.
"Jemi dakord për të shpenzuar më mirë, por jo për të shpenzuar më tepër", theksoi sot një diplomat evropian.
"Komisioni Evropian u kërkon të gjitha shteteve përpjekje për zvogëlimin e deficitit të buxhetit, por edhe ai duhet të bëjë të njëjtën gjë lidhur me këtë çështje", shtoi ai. "Ai nuk duhet të sillet sikur nuk ka krizë ekonomike".
Një diplomat i një vendi tjetër të madh evropian u shpreh "se pret me padurim të mësojë përse buxheti i Komisionit duhet të rritet me 6 për qind në një kohë kur Olli Rehn (komisioneri evropian për Çështjet Ekonomike) u thotë vendeve se duhet të zvogëlojnë deficitet".
"Komisionier duhet të bëjë shumë më tepër se zakonisht për të shpjeguar logjikën e kësaj rritjeje", shtoi ai.
Projektbuxheti i vitit 2011 parashikon një rritje të shpenzimeve administrative të institucioneve evropiane prej 4,5 për qind (2,9 për qind për Komisionin Evropian), duke përfshirë krijimin e vendeve të reja të punës dhe rritje pagash, mësohet nga shifrat e ekzekutivit evropian.
/I.Pu.