Ekonomi - Juncker Kritikon Deklarata Të Merkel Për Zonën Euro
BRUKSEL, 17 maj /ATSH-AFP/ - Kreu i grupit të ministrave të Financave të zonës euro, Jean-Claude Juncker, kritikoi sot disa deklarata të kancelares gjermane Merkel, e cila u shpreh se vendet e zonës euro e kanë ushqyer vetë spekulimin për faktin e deficiteve të tyre të larta.
Me të mbërritur në Bruksel, në një mbledhje të Eurogruit, ai u pyet nga gazetarët për pasojën e deklaratave të Merkel si dhe për deklaratat e bëra nga presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, Jean-Claude Trichet, i cili u shpreh se tregjet ndodhen në gjendjen më të vështirë që prej Luftës së Dytë Botërore".
"Pavarësisht deklaratave të Trichet që i miratoj, mendoj se disa do të bënin më mirë të reflektonin përpara se të flisnin", deklaroi Juncker, i cili është gjithashtu kryeministër i Luksemburgut.
"Kjo do të thotë se do të ishte në interes të tregjeve, të situatës së njerëzve të thjeshtë në Evropë, pikërisht për këtë do të bënin më mirë të heshtnin", shtoi ai, duke e hedhur dukshëm fjalën për kancelaren gjermane.
Të dielën, përpara një kongresi të konfederatës sindikale gjermane, Merkel është shprehur se plani i ndihmës financiare i hartuar nga zona euro vetëm sa ka bërë "të fitohet kohë". "Është gjithashtu një fakt që spekulimi (që solli rënien e euros) ka qenë dhe është i mundur vetëm sepse ka mospërputhje të mëdha në qëndrueshmërinë ekonomike dhe në borxhet përkatëse të shteteve anëtare të zonës euro", është shprehur ajo.
/I.Pu.