Elbasan-Sport/ Krenar Alimehmeti Rikonfirmohet Trajner I Elbasanit Në Superiore
ELBASAN, 17 Maj /ATSH-Miranda Sadiku/ - Trajneri i ekipit verdh e blu të Elbasanit, Krenar Alimehmeti, do të drejtojë ekipin edhe për një edicion tjetër.
"Kam vendosur që të qëndroj në Elbasan dhe për një edicionin tjetër pasi kam mbështetjen e drejtuesve të ekipit", tha për ATSH-në trajneri i verdh e bluve, Krenar Alimehmeti.
"Mendoj se besimin që kanë tek idetë e mia drejtuesit e klubit verdh e blu do t'ua shpërblej më së miri duke ndërtuar një ekip kompakt dhe padyshim që të jetë pretendenti kryesor në Superligë në edicionin 2010-2011. Elbasani e meriton që të jetë në majat e futbollit shqiptar për shumë arsye dhe e quaj fat të Superiores që e ka sërish në përbërje të tij Elbasanin, i cili për një vit kaloi në kategorinë e parë", u shpreh Alimehmeti.
Ndërsa për lojtarët që mund të largohen dhe që nuk janë pjesë e planeve të së ardhmes trajneri Alimehmeti shprehet se "akoma nuk është vendosur asgjë, pasi sapo përfundoi gara".
Ndërkaq në ditët në vazhdim do të ketë një takim të trajnerit me lojtarët dhe drejtuesit, ku do të vendoset për gjithçka që lidhet me të ardhmen e tyre./gj.m/s.s./