Fier-Çiklizëm/ Alfred Sukaj Fitues I Etapës Së Parë Të Rrethit Të 67-Të Çiklistik
FIER, 17 Maj /ATSH- Rr.Isufaj/. - Ka përfunduar mesditën e sotme në Fier etapa e parë e rrethit të 67-të çiklistik të Shqipërisë.
Fitues i etapës së parë Tiranë-Fier ishtë çiklisti Alfred Sukaj i ekipit të Tiranës, i cili u nderua me medaljen e fituesit nga presidenti i Federatës të Çiklizmit, Skënder Anxhaku.
Në vendin e dytë dhe të tretë u radhitën çiklistët Redi Halili dhe Besmir Banushi, përkatësisht të ekipeve Teuta dhe Tirana. Nesër çiklistët do të garojnë në itenerarin Vlorë -Sarandë, që është etapa më e vështirë dhe kulmi i garës.
"Nesër nis gara e vërtetë Vlorë-Sarandë. Nesër ne shpresojmë që në garën individuale të zëmë vëndin e parë, pasi etapa e sotme 110 km ishte e lehtë", tha trajneri i Fierit, Kiço Kalemaj.
Në këtë rreth çiklistik marrin pjesë ekipet e Tiranës, Partizanit, Apolonisë, Teutës, Vllaznisë, Elbasanit, Flamurtarit, si dhe një ekip nga Kosova, një ekip nga Gjermania dhe një çiklist nga Tuzi i Malit të Zi.
Presidenti i Federatës së Çiklizmit, Skënder Anxhaku, falenderoi bashkinë e Fierit për vëmëndjen dhe mbështetjen financiare që i ka dhënë sportit në përgjithësi dhe atij të çiklizmit në veçanti./gj.m/s.s./