English

Fishë Teknike - Iran - Pasurimi I Uraniumit

ROMË, 17 maj /ATSH-ANSA/ - Pasurimi i uraniumit është aktiviteti për të cilin, deri sot, Irani ka përqendruar forcat në programin e tij bërthamor, një teknologji që mund të përdoret për qëllime civile dhe njëkohësisht për të ndërtuar bomba bërthamore. Me nënshkrimin e marrëveshjes së sotme me Turqinë dhe Brazilin, Republika islamike deklarohet e gatshme të privohet nga rreth 70 për qind e uraniumit që deri sot e ka pasuruar deri në 3.5 për qind, për ta shkëmbyer atë me karburant bërthamor të pasuruar deri në 20 për qind, për të furnizuar një reaktor që ka qëllime mjekësore. Më poshtë vijon një shpjegim i shkurtër i procesit të pasurimit të uraniumit. NJË TEKNOLOGJI ME QËLLIME CIVILE OSE USHTARAKE Uraniumi i pasuruar ndërmjet 3 dhe 5 për qind, përdoret për të furnizuar centralet bërthamore. Por duke përdorur të njëjtën teknologji mund të arrihet në uranium të pasuruar në nivele më të larta, në më shumë se 90 për qind. Në raste të tilla uraniumi mund të përdoret për ndërtimin e bombave bërthamore. ETAPAT E PASURIMIT DHE KASKADAT E CENTRIFUGAVE Minerali i uraniumit që nxirret nga minierat përmban më pak se 1 për qind atome uraniumi 235. Atomet 235 të uraniumit, për t'u përdorur, duhet të ndahen nga pjesa tjetër e mineralit, që përbëhet edhe nga atome uraniumi 238. Nga minerali i uraniumit përgatitet një përbërje e quajtur "yellowcake'" nga e cila nxirret një gaz, uraniumi hexafluorur ose Uf6 që vendoset në zinxhirë ose thënë ndryshe "kaskada" centrifugash supersonike. Atomet 235 të uraniumit, më të lehta, kanë tendencën për të qëndruar në qendër të cilindrave që rotullohen. Ndërsa ato 238, më të rënda, përqendrohen nëpër muret e cilindrave. Sa më shumë që kaskadat rrotullohen në centrifuga, aq më shumë pasurohet uraniumi, pra aq më shumë shtohet përqendrimi i atomeve 235 të uraniumit në qendër të cilindrave. /e.v/
KOMENTE