English

Fishë Teknike - Programi Bërthamor Iranian, Një Mosmarrëveshje Që Zgjat Prej Shtatë Vjetësh

ROMË, 17 maj /ATSH-ANSA/ - Më poshtë vijojnë etapat kryesore të mosmarrëveshjes ndërmjet vendeve perëndimore dhe Iranit për programin bërthamor të këtij të fundit. TETOR 2003 - Pas disa muajsh tensioni për programin bërthamor, Teherani pranon të ndërpresë përkohësisht pasurimin e uraniumit në kuadër të një marrëveshje me BE-në dhe të hyjë në bisedime. JANAR 2006 - Pas zgjedhjes së presidentit ultrakonservator Mahmud Ahmadinexhad, në gusht të vitit 2005, procesi i pasurimit të uraniumit rifillon në impiantin e Natanz. QERSHOR 2006 - Ministrat e Jashtëm të SHBA-së, Rusisë, Kinës, Francës, Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë (5+1) arrijnë një marrëveshje që ta stimulojnë Iranin për të ndërprerë pasurimin e uraniumit. Irani refuzon. DHJETOR 2006 - Këshilli i Sigurimit të OKB-së aprovon rezolutën 1737 që vendos sanksionet e para dhe simbolike ndaj Iranit. MARS 2007 - Një paketë e re sanksionesh vendoset nga Këshilli i Sigurimit me rezolutën 1747. MARS 2008 - E treta rezolutë e Këshillit të Sigurimit (1803) përforcon sanksionet e ndërmarra deri atëherë. 14 QERSHOR 2008 - Përfaqësuesi i lartë për politikën e Jashtme të Bashkimit Europian, Javier Solana, viziton Teheranin dhe ilustron një paketë të re stimujsh që u propozua nga grupi 5+1, në këmbim që Irani të ndërpresë pasurimin e uraniumit. Irani refuzon sërish. 27 SHTATOR 2008 - Një rezolutë e re e Këshillit të Sigurimit, kësaj radhe pa sanksione, i bën thirrje Iranit të ndërpresë pasurimin e uraniumit. Irani nuk pranon. 1 TETOR 2009 - Fillojnë në Gjenevë bisedimet e reja ndërmjet grupit 5+1 dhe Iranit. 21 TETOR 2009 - IAEA (Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore) paraqet një projektmarrëveshje në bazën e të cilës Irani duhet të angazhohet të largoj 70 për qind të uraniumit të pasuruar deri në 3.5 për qind dhe në këmbim të marrë lëndë bërthamore të pasuruar deri në 20 për qind, që do të shërbejë si karburant për një reaktor me qëllime mjekësore. Irani shtyn afatet për dhënien e përgjigjes dhe më pas paraqet disa kundërpropozime kontradiktore. 9 SHKURT 2010 - Irani nis pasurimin e uraniumit deri në 20 për qind. 17 MAJ 2010 - Irani nënshkruan me Turqinë dhe Brazilin një marrëveshje në të cilën deklaron se angazhohet të pranojë këmbimin e uraniumit, por me disa ndryshime. Megjithatë njoftoi se do të vazhdojë të pasurojë uranium deri në 20 për qind. /e.v/
KOMENTE