Gjata: Zgjidhja E Krizës Duhet Të Jetë Në Përputhje Me Kushtetutën
TIRANË, 17 Maj/ATSH.- Ish-kryetari i KQZ-së, Çlirim Gjata, tha sot se "formula e ofruar si kompromis nga kryetari i PS-së, Edi Rama, për zgjidhjen e krizës në vend duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit".
Në një prononcim për mediat, ish-kreu i KQZ-së theksoi se nuk mund të kërkohet hapja e materialeve zgjedhore dhe mos hapja e fletëve të votimit, pasi janë e njëjta gjë, pavarësisht se ndarja e tyre është vetëm çështje teknike.
"Të dyja janë kuti, edhe ajo e materialeve zgjedhore dhe ajo e fletëve të votimit, që i takojnë një qendre votimi. Pra, pse duhet të ndahen ato, pse duhen dy standarde. Pse për kutitë e materialeve zgjedhore është legjitime dhe e pranueshme të hapen, ndërsa për kutitë e votimit duhet të shprehet gjykata. Përse të mos shprehet gjykata për të dyja ose pse të mos hapen të dyja", sqaroi juristi Gjata.
Sipas tij, nëse pranohet një paligjshmëri për të hapur materialet e votimit, atëherë duhet të pranohet edhe ajo për hapjen e fletëve të votimit dhe kjo nga ana juridike është në kundërshtim me ligjin.
Duke iu referuar qëndrimit të ndërkombëtarëve dhe konkretisht deklaratave të Komitetit Presidencial të Asamblesë Parlamentare të KiE-së dhe byrosë parlamentare të tij, ish-kryetari i KQZ-së thotë se "zgjidhja duhet të jetë institucionale dhe në përputhje me kushtetutën dhe kodin elektoral, të miratuar me konsensus nga të dy palët".
Juristi Gjata shprehet skeptik ndërsa thotë se kompromisi i ofruar vjen në një kohë kur opozita nuk heq dorë nga protestat dhe greva e urisë. Sipas tij, "kjo nuk është një gjë tjetër veçse një formë presioni, që e artikuluar në kushte të tilla nuk mund të prodhojë zgjidhje të ngërçit politik në vend".
Ndërsa greva e urisë e opozitës vazhdon prej më se dy javësh me kërkesën për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit, ende nuk ka një kompromis mes forcave kryesore politike.
Dy ditë më parë, Kryeministri Sali Berisha mohoi që mes maxhorancës dhe opozitës të kishte një draft kompromisi për zgjidhjen e situatës, të cilën duhet ta merrte në konsideratë, duke iu përgjigjur në këtë mënyrë disa deklaratave të fundit të diplomatëve ndërkombëtarë në Tiranë.
Po atë ditë, kryetari i PS-së, Edi Rama, në konfirmim të objektivit të opozitës për transparencën e zgjedhjeve kërkoi hapjen e kutive të të gjithë dokumentacionit zgjedhor, duke shtuar se fletët e votimit i lihen në dorë një pale të tretë, siç është Komisioni i Venecias.
Dje, Partia Demokratike e hodhi poshtë këtë propozim të PS-së përmes kryetarit të grupit parlamentar, Astrit Patozi, i cili e cilësoi atë si "dhunimin e radhës të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit". /a.s/s.s./