English

Gjykata: "Arrest Me Burg" Për Të Pandehurin Bunaj, Akuzohet Per Trafik Nderkombetar Droge

TIRANE, 17 Maj/ATSH/. - Isuf Bunaj, një nga shtatë anëtarët e dyshuar të grupit të trafikut të drogës, do të mbahet në qeli deri në përfundim të hetimit të hapur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Vendimi është marrë sot nga Gjykata e Krimeve të Rënda, e cila i komunikoi të pandehurit masën e arrestit me burg pa afat për akuzën e "Trafikut ndërkombëtar të drogës", në bashkëpunim. Dy ditë më parë, në një operacion të organizuar nga Prokuroria dhe Policia e Shtetit u bë e mundur goditja e një grupi prej shtatë personash të dyshuar për trafik ndërkombëtar droge nga Shqipëria në Itali. Në pranga përfunduan shtetasit: Shefqet Vata, Isuf Bunaj, Jorid Dunga, Edmond Taullaj, Behar Biba dhe Englantina Lulo. Gjithashtu, pjesë e këtij trafiku mendohet se është edhe shtetasi Endrit Dokle, i cili ndodhej në qelitë e paraburgimit për një tjetër çështje penale. Shtetasit e lartëpërmendur dyshohet se janë përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike në rrugë tokësore nga Shqipëria drejt Italisë. Ata akuzohen se kanë tentuar të trafikojnë në periudhën shtator 2008-prill 2009, një sasi prej 40 kilogram heroinë, e sekuestruar nga autoritetet. Disa nga anëtarët e dyshuar të këtij grupi kanë dalë tashmë para Gjykatës, ku janë njohur me masat e sigurisë, ndërsa disa të tjerë pritet që të dalin ditën e nesërme para saj. /a.m//a.ke/
KOMENTE