Durrës, 17 maj, NOA – Një djalosh 20-vjeçar është vënë në prangat e policisë pasi ka goditur në fyt me kaçavidë një burrë 46-vjeçar dhe ka lënduar një tjetër gjatë një konflikti për motive të dobëta.
Burimet policore të Durrësit konfirmojnë për agjencinë e Lajmeve NOA se ngjarja ka ndodhur në unazën Plepa-Durrës, ndërsa autori i saj mban emrin Armando Psatha, banues në fshatin Arapaj dhe figuron i dënuar më parë për vjedhje.
Ndërkaq, i lënduari me kaçavidë mban inicialet Sh.K., dhe tashmë bëhet me dijeni se ndodhet në Spitalin Ushtarak të Tiranës nën kujdesin e mjekëve.
Ndërkaq, ngjarja ka edhe një të plagosur lehtë, i cili mësohet se është 21-vjeçari me inicialet E.F., i cili ndodhet në spitalin e Durrësit.
U kryen veprimet e para hetimore lidhur me ngjarjen në fjalë dhe materialet për veprën penale të vrasjes së mbetur në tentativë iu kaluan për ndjekje prokurorisë së Durrësit.
n.e/NOA