Iran - Bërthamore - Topi Është Në Fushën E Fuqive Të Mëdha Pas Propozimit Të Fundit
TEHERAN, 17 maj /ATSH-AFP/ - Topi tashmë është në fushën e fuqive të mëdha perëndimore pas propozimit të bërë sot nga Irani, Turqia dhe Brazili për një shkëmbim të lëndës djegëse bërthamore iraniane në Turqi, u shprehën dy drejtues iranianë.
"Topi është në fushën e tyre", i deklaroi shtypit zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Ramin Mehmanparast pas njoftimit të këtij propozimi që synon zgjidhjen e krizës mes Teheranit dhe komunitetit ndërkombëtar rreth programit bërthamor iranian.
Kreu i Organizatës iraniane të Energjisë Bërthamore, OIEA, Ali Akbar Salehi, ishte i të njëjtit mendim duke u shprehur se tashmë është në pritje të vendimit që do të marrin perëndimorët lidhur me propozimin.
"Irani, duke pranuar propozimin e turqve dhe brazilianëve, tregoi vullnetin e mirë. Tani e tutje, topi është në fushën e perëndimorëve dhe grupi i Vjenës (Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Franca) duhet të japë një përgjigje të përshtatshme ndaj ofertës së Iranit për bashkëpunim", deklaroi Salehi i cituar nga agjencia zyrtare IRNA.
/I.Pu.