English

Ish drejtori i Tatimeve: Informaliteti, problem kryesor në ekonomi

Tiranë, 17 maj, NOA - I liruar pak ditë më parë me vendim qeverie dhe pa një motivacion zyrtar, Artur Papajani, ish-drejtori iPërgjithshëm i Tatimeve, me një eksperiencë shumëvjeçare në këtë administratë tashmë është i papunë.

“Nuk më kanë komunikuar asnjë motivacion zyrtar, por nën zë më kanë thënë që është e nevojshme që t’i jepet një shtysë më shumë mbledhjes së të ardhurave në vend”, thotë Papajani.

E megjithatë, largimi nga posti i Drejtorit të Tatimeve duket më shumë një lehtësim, për zotin Papajani, pasi presionet për të arritur planin ishin të larta.

Por, drejtori pasardhës i Tatimeve duket se do të përballet me vështirësi, për të arritur objektivat e ministrisë së financave, pasi kriza ekonomike do të vijojë të japë efektet e saj.

Ndërkohë që për zotin Papajani thembra e Akilit për tatimet është informaliteti. “Ende tatimorët nuk shkelin në të gjithë territorin, për të kontrolluar dhe ky është një problem madhor. Vetëm në muajt e fundit kemi zbuluar një sërë biznesesh të paliçensuara në fshatrat në jug të Shqipërisë”, thotë Papajani.

Sipas tij informaliteti është një fenomen që të prish startin e një biznesi dhe kjo do të thotë që të pasurohesh në mënyrë të padrejtë.

Sikur të mos mjaftonte informaliteti, kriza politike pritet të ndikoj negativisht në mbledhjen e të ardhurave. Sipas tij në kohë krizash ka një paralizim të punë në administratën shtetërore.

Një fakt i tillë është i konfirmuar edhe gjatë mbledhjeve në tatime, ku tatimorë të caktuar kanë hezituar të ushtrojnë kontrolle në biznese që kanë një mbështetje të caktuar opozitare.

Pas më shumë se një viti punë në tatime Papajani i njeh vetes si arritje, deklarimin elektronik të të dhënave, një procedurë kjo e cila ka shkurtuar ndjeshëm kostot dhe burokracitë e biznesit.

r.l/NOA

KOMENTE