Itali - Sondazh - Bie Në 46,6 Për Qind Besimi Tek Papa
ROMË, 17 maj /ATSH-AFP/ - Besimi i italianëve tek Kisha katolike dhe figura e kreut të saj, Papa, ka rënë shtatë vitet e fundit, një tendencë që është theksuar me skandalet e fundit të pedofilisë tek priftërinjtë, mësohet nga një sondazh i publikuar sot në të përditshmen "Repubblica".
"Besimi i italianëve tek kisha ra nga 62,7 për qind që ishte një "besim shumë i madh ose i madh" në vitin 2003 në 47,2 për qind në prill të vitit 2010, ndërsa popullariteti i Papës ka rënë nga 77,2 për qind në 46,6 për qind në të njëjtën periudhë, shkruhet në këtë gazetë të majtë.
"Gjatë vitit të tmerrshëm për Vatikanin, besimi tek Papa ka rënë në minimumin e tij", ishte titulli i të përditshmes.
"Duke përmendur një varg të gjatë skandalesh 12 muajt e fundit që arritën kulmin me abuzimet seksuale kundër të miturve ku u përfshinë fetarë", sociologu i njohur Ilvo Diamanti i cili analizon sondazhin për të përditshmen "Repubblica", thekson se "rënia e kredibilitetit gjatë vitit të kaluar nuk e habit".
Brenda një viti, Kisha ra nga një kuotë besimi prej 50,4 për qind në qershor të vitit 2009 në 47,2 për qind në prill të vitit 2010 dhe Papa Benedikti XVI nga 53,7 për qind në mars të vitit 2009 në 47,2 për qind në prill 2010.
Kardinali Joseph Ratzinger, i cili zuri vendin e Papa Gjon Pali II pas vdekjes së këtij të fundit në vitin 2005, arriti kulmin e popullaritetit në vitin 2008 me 55,5 për qind, vazhdon ky zondazh.
"Kisha dhe Papa përbëjnë ende referenca të rëndësishme për shoqërinë italiane, por kapaciteti i tyre tërheqës duket se është dobësuar për arse që shkojnë përtej skandaleve të fundit edhe pse ato kanë ndikuar në të", shkruan Diamanti, i cili përmend mes arsyeve të tjera "përçarjet" mes hierarkisë katolike dhe "krizën e prirjeve".
Sipas sondazhit, 62 për qind e italianëve mendojnë gjithashtu se Kisha është përpjekur "të minimizojë ose të fshehë" rastet e pedofilisë.
Sidoqoftë, shumica e italianëve janë dakord me dhënien fund të beqarisë së priftërinjve, pasi 65,9 për qind shprehen "shumë në favor" të kësaj hipoteze, vazhdoi i njëjti burim.
Sondazhi u realizua nga 14 deri më 21 prilli nga instituti Demos për llogari të së përditshmes "La Repubblica" me 2 058 persona.
/I.Pu.