English

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese miraton në parim ligjin për sektorin minerar

Tiranë, 17 maj, NOA – Projektligji “Për Sektorin Minerar" është miratuar në parim nga Komisioni Parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese. Ndërsa për miratimin e tij përfundimtar do të pyeten dhe grupet e interesit.

Komisioni Parlamentarë për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin nisi sot diskutimet në parim lidhur me projektligjin “Për Sektorin Minerar në Republikën e Shqipërisë”.

Projektligji është prezantuar para deputetëve nga zv/ministri i Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjetikës, Neritan Alibali.

Sipas Alibalit, projektligji përcakton rregullat për zhvillimin e veprimtarive minerare në vend, ka për qëllim nxitjen e veprimtarive të këtij sektori duke siguruar transparencën dhe të konkurrencës së lirë.

“Gjithashtu, projektligji synon rritjen maksimale të përfitimit publik nga veprimtaria minerare dhe garantimin e mjedisit dhe të qytetarëve nga rreziku minerar”, tha ai.

Alibali u ndal në vendosjen e kuadrit ligjor dhe rregullator për nxitjen e investitorëve në këtë sektor.

Ai tha se ky ligj ka si synim të lehtësojë procedurat për marrjen e lejes duke iu përgjigjur në kohë kuadrit rregullator të marrë nga qeveria si dhe përcakton qartë rolin e shtetit si promovues i pasurive minerare.

Ndër të tjera se ndërmarrja e kësaj nisme ka për qëllim përafrimin e legjislacionit në fuqi dhe të kuadrit rregullator me direktivat e zbatuara në vendet e Bashkimit Europian.

Relatori i këtij projektigji, deputeti i PD, Selami Xhepa theksoi rëndësinë që ka ky ligj përsa i përket përcaktimin e konkurrencës së lirë si dhe mekanizmave financiare për të përcaktuar detyrimet përkatëse.

Nga ana tjetër, deputeti Xhepa vuri në dukje rëndësinë që ka rritja e bashkëpunimit me autoritetet vendore lidhur me këtë sektor.

Për tu njohur më në hollësi me detajet e projektligjit, anëtarët e komisionit drejtuan disa pyetje lidhur me klimën miqësore për investitorët e huaj, heqjen e burokracive, sa funksionale janë lejet e dhëna në sektorin minerar etj.

m.xh/NOA

KOMENTE