Kukës: Masa Për Të Përballuar Fluksin E Turistëve
KUKËS, 17 maj /ATSH-R.Hoxha/ - Një plan i hollësishëm masash ka nisur të zbatohet nga drejtoria e Policisë së qarkut të Kukësit në bashkëpunim me pushtetin vendor për përballimin e fluksit të lëvizjes së turistëve nga Kosova në drejtim të bregdetit shqiptar.
Vënia në efiçencë e autostradës Durrës-Kukës -Morinë (pjesa në zonën e Kukësit) më 21 maj parashikohet të rrisë ndjeshëm fluksin e lëvizjes në të dy anët e kufirit, ndërsa sezoni turistik i sivjetëm parashikohet të rrisë ndjeshëm fluksin e lëvizjes në krahasim me një vit më parë.
"Për këtë arsye, që tani është hartuar e po vihet në zbatim një plan i hollësishëm masash për të përballuar fluksin e lëvizjes në këtë periudhë", thonë për ATSH-në burime zyrtare të Policisë së qarkut.
Ndër masat janë dyfishimi i postoblloqeve të lëvizshme të Policisë në aksin rrugor Kukës-Morinë (që nga tuneli), në doganën e Morinit do të shtohen sportelet, ndërsa kontrolli do të kryhet njëherësh nga dogana e policia kufitare me synimin e minimizimit të radhëve të gjata në dogana.
Në periudhën qershor - shtator 2009, përmes doganave me Kosovën lëvizën mbi 830 mijë persona. Veç tyre, vjet hynë në territorin e qarkut për turizëm rreth 20 mijë persona në rrethin e Kukësit, mbi 16 mijë në rrethin e Tropojës dhe mbi 5000 në rrethin e Hasit./ch/