English

Liban - Sekuestrohen 103 Kilogramë Kokainë

BEJRUT, 17 maj /ATSH-AFP/ - Njëqind e tre kilogramë kokainë bruto, e fshehur në çikrikun e një vinçi të importuar nga Kolumbia, janë sekuestruar nga doganat libaneze, njoftoi sot drejtori i përgjithshëm i përkohshëm i Doganave Shafik Merhi. Duke e cilësuar operacionin si sekuestrimin më të madh të realizuar në portin e Bejrutit, Merhi i bëri të ditur shtypit se kjo sasi ishte e barasvlershme me 10 milionë dollarë, ose tri herë më tepër nëse kokaina përpunohet dhe përzihet me substanca të tjera kimike dhe bëhet e konsumueshme. Importuesi, një burrë 79 vjeç, u arrestua dhe policia është vënë në kërkim të bashkëpunëtorëve. Zyrtari theksoi se vinçi ishte importuar nga Kolumbia nëpërmjet portit të Anversit në Belgjikë dhe se droga ishte fshehur në qese plastike të lyera me vaj për pjesë hidraulike dhe të veshura me një shtresë metalike, për të mos lejuar zbulimin nga qentë e policisë dhe kapjen nga rrezet X. Ky sekuestrim, data e të cilit nuk bëhet e ditur, ndodh në kuadrin e arrestimit të më tepër se 40 personave, ndër të cilët një prej trafikantëve më të mëdhenj të drogës në vend. /I.Pu.
KOMENTE