English

Librazhd: Pas Bllokimit Te Disa Akseve Rrugore Nga Reshjet E Shiut, Situata Drejt Normalizimit

LIBRAZHD, 17 Maj /ATSH-Miranda Sadiku/ - Reshjet e dendura të shiut gjatë natës dhe mëngjesit të sotëm kanë krijuar situatë problematike në disa zona të qarkut të Elbasanit, ku më e rënduar paraqitet në rrethin e Librazhdit, sidomos në aksin e rrugës kombëtare Elbasan-Prrenjas. Drejtori i Mirëmbajtjes së Rrugëve Rurale, Ardian Cani, tha për ATSH se "në dy segmentet e kësaj rruge si pasojë e rrëshqitjes masive shkëmbore dhe dherave, ka pasur bllokim të përkohshëm të qarkullimit automobilistik". Sipas tij, "problem ka pasur dhe rruga kombëtare që lidh Elbasanin me Librazhdin në vendin e quajtur Murrash, e cila gjatë paradites së sotme ishte bllokuar dhe kalimi i automjeteve bëhej me një korsi". Fadromat e ndërmarrjes së mirëmbajtjes së rrugëve rurale kanë punuar pa ndërprerje për largimin e inerteve dhe masiveve të dherave që kishin rënë në trasenë e rrugës automobilistike. Edhe disa akse të rrugëve rurale në rrethin e Gramshit u bllokuan përkohësisht gjatë paradites, por përgjithsisht situata në orët e fundit po shkon drejt normalitetit./ch/
KOMENTE