Masa Sigurie Në Të Gjitha Shkollat Për Parandalimin E Ngjarjeve Kriminale
TIRANË, 17 Maj /ATSH - Policia e kryeqytetit, në vijim të masave të marra gjatë ditëve të fundit për zhvillimin normal të proçesit mësimor në shkollat e të gjitha niveleve në qytet e bashkitë e Qarkut të Tiranës, ka planifikuar masa shtesë për parandalimin e ngjarjeve kriminale si dhe rritjen e masave të sigurisë në shkollat si dhe në vendet e akomodimit të nxënësve.
Përmes një njoftimi për mediat, policia e kryeqytetit bëri të ditur se "për mbarëvajtjen e proçesit mësimor, përveç strukturave të Rendit dhe Qarkullimit Rrugor, janë angazhuar edhe Struktura Kundër Krimit të Organizuar dhe Kundër Krimeve ndaj Personit".
Me qëllim ndjekjen në vazhdimësi të problemeve të kriminalitetit, krimeve ndaj personit, kundër drogës, kundër trafiqeve të paligjshme, do të rritet bashkëpunimi edhe me drejtuesit , stafin pedagogjik të shkollave, Drejtoritë Rajonale Arsimore të qytetit dhe Qarkut Tiranë, si dhe do të patrullohet më shpesh brenda dhe pranë shkollave të mesme dhe 9 - vjeçare.
Paaralelisht me masat e marra për mbarëvajtjen e proçesit mësimor, policia kërkon bashkëpunimin edhe me aktorët e tjerë, qytetarët si dhe median për sensibilizimin qytetar në drejtim të respektimit të normave ligjore që kanë të bëjnë me sigurinë publike, shmangien e zhurmave, parkimeve të gabuara të mjeteve pranë shkollave, etj./m.sh/s.s./