Mbulimi Shëndetësor I Popullatës Me Sistem Paketash Bazë, Sfidë Për Sigurimet Shëndetësore
- Thekson drejtoresha e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, Elvana Hana, në konferencën "Punëdhënësit dhe punëmarrësit përballë sistemit të sigurimeve shëndetësore dhe shoqërore" -
TIRANË, 17 Maj/ATSH-Eriola Çuko/ - "Mbulimi shëndetësor i të gjithë popullatës me një sistem paketash bazë shërbimi të financuar nga skema e sigurimeve, në nivelin e shërbimit parësor dhe atë spitalor, duke krijuar ofrim të kujdeseve shëndetësore në standarde europiane, është një sfidë e madhe", tha sot drejtoresha e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, Elvana Hana.
E pranishme në konferencën "Punëdhënësit dhe punëmarrësit përballë sistemit të sigurimeve shëndetësore dhe shoqërore", organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë në Hotel 'Tirana International', Hana prezantoi funksionimin e skemës së sigurimeve shëndetësore, pagesave dhe përfitimeve prej saj.
"Përfitimet nga skema e sigurimeve shëndetësore kanë ardhur në rritje, ndërsa pagesa e kontributeve shëndetësore vazhdon të mbetet 3.4%, më e ulëta në rajon", u shpreh ajo.
Ndërkohë, sipas saj, "pjesa relativisht e ulët e të ardhurave që vjen nga kontributet lidhet më faktin se përqindja e kontributit shëndetësor, ndaj totalit të të ardhurave të punonjësve, është mjaft e ulët".
Për personat e punësuar, kontributi shëndetësor është 3.4 % e pagës mujore deri në kufirin maksimal, nga të cilat 1.7% i paguan punëdhënësi dhe 1.7% punëmarrësi. Për të vetëpunësuarit, punëdhënësit dhe punonjësit e papaguar të familjes në qytet është 7% e pagës minimale, e përcaktuar çdo vit me Vendim të Këshillit të Ministrave, ndërsa për ata në fshat kontributi është 3-5% e pagës minimale. Për të siguruarit vullnetarë, ky kontribut është 3.4 % e pagës minimale.
Sipas Hanës, "i siguruari ka akses të plotë në të gjitha nivelet e sistemit të shërbimeve shëndetësore, duke përfituar kujdesin për rastet urgjente, të drejtën e zgjedhjes së Mjekut të Përgjithshëm të Familjes si mjek personal, vizitën falas në Qendrën Shëndetësore të kujdesit shëndetësor parësor, barnat e rimbursuara të listës me recetën tip nga MPF, si dhe vizitën në banesë kur gjendja e të siguruarit nuk lejon paraqitjen në qendrën shëndetësore".
Në përgjigje të interesimit të përfaqësuesve të biznesit, të pranishëm në takim, lidhur me sigurimet private, Hana nënvizoi se "ajo që synojmë është hartimi dhe ofrimi i një pakete bazë shërbimesh në sektorin publik (sikurse është me parësorin, shumë shpejt do të jetë dhe me shërbimin spitalor), e cila do të jetë transparente dhe e njëjtë për të gjithë popullatën".
"Ne synojmë të forcojmë sektorin publik, duke rritur si aksesin e shërbimit, ashtu edhe cilësinë e tij nëpërmjet lidhjes së punës së mjekut me pagesën", theksoi ajo. Sa i takon sektorit privat, "mbi këtë paketë bazë shërbimesh, mendojmë se ka hapësira për futjen e sigurimeve private, lidhur me shërbime ekstra, hoteleri më të mirë, apo përzgjedhjen e një mjeku të caktuar, etj", u shpreh drejtoresha e ISKSH-së./s.s./