English

Moti I Keq - Përmbytje Dhe Viktima Në Evropën Lindore

VARSHAVË, 17 maj /ATSH-ANSA/ - Moti i keq ka përfshirë Evropën lindore me përmbytje masive në pjesë të mëdha të këtij rajoni. Veç dëmeve të mëdha materiale, disa persona kanë humbur jetën, prej të cilëve dy në Poloni, ku është në rrezik edhe memorial i ish-kampit të shfarosjes së Aushvic, që sot është mbyllur për sigurinë e vizitorëve. Në Poloni, dy persona humbën jetën dhe disa mijëra të tjerë janë evakuuar për shkak të shirave të dendur në jug të vendit. Reshjet e dendura kanë shkaktuar edhe fryrjen e disa lumenjve. Një tjetër viktimë është regjistruar në Çeki, ndërsa në Hungari moti i keq ka shkaktuar dëme të mëdha, me shtëpi dhe rrugë të përmbytura dhe qindra familje të evakuuara, kryesisht në veri të liqenit Balaton. Ndërkohë që dje u regjistruan dy viktima në Serbi. Sipas zëdhënësit të Aushvic, Jaroslav Mensfeld, si masë paraprake për përmbytjet, rreth 250 punonjësit e ish-kampit kanë filluar t'i s'postojnë arkivat në vende të sigurta. Në kuadër të masave të sigurisë është ndaluar edhe hyrja e vizitorëve. Pranë ish-lagerit të Aushvic-Birkenau, pranë pjesës më të vjetër të kampit, kalon lumi Sola. Në rajonin Malopolska janë gjetur deri tani trupat e pajetë të dy personave, një grua rreth 60 vjeç dhe një mashkull 45 vjeç. Të dy ishin mbytur nga lumenjtë e rrëmbyeshëm. Mediat polake flasin për situata "dramatike" në disa zona të rajonit ku ka male, lumenj dhe diga. Në Dobczyce uji rrezikon të çajë digën e liqenit pranë qytetit dhe në Bochni mungon uji i pijshëm. Autoritetet ushtarake kanë informuar se 8000 ushtarë janë në gatishmëri për të ndihmuar në çdo rast nevoje zjarrfikësit dhe shërbimet e tjera të shpëtimit. Sipas parashikimeve, shirat që po bien që prej tre ditëve mund të vazhdojnë deri të mërkurën. /e.v/
KOMENTE