Tiranë, 17 maj, NOA - “Duhet të kisha ardhur më parë në Shqipëri, sepse edhe unë kam gjak shqiptar nga gjyshja ime, nga ana e nënës”.
Këto fjalë i ka komunikuar kryeministrit Sali Berisha gjatë një takimi të përbshkët, shkrimtari i famshëm turk, Orhan Pamuk, laureat i çmimit Nobel për vitin 2006.
Duke shprehur gëzimin që vizitonte një vend mik, shumë të dashur për të gjithë turqit, Pamuk u interesua për sfidat me të cilat përballet sot Shqipëria.
Nga ana e tij, kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë që priste shkrimtarin e mirënjohur, i cili me librat e tij është bërë një nga shkrimtarët më të njohur në Shqipëri, sepse ato përshkruajnë një botë dhe një psikologji shumë të afërt për shqiptarët.
“Për disa shekuj, shqiptarët i kanë dhënë Perandorisë Osmane personalitete të shquar, si Sami Frashërin, hartuesin e fjalorit të parë enciklopedik turk, Hasan Tahsinin, rektorin e Universitetit, Mehmet Akif, poetin e himnit kombëtar turk. Disa prej tyre ishin edhe formuluesit e ideve të shtetit të sotëm shqiptar dhe të aspiratave të tij europianiste, si Sami Frashëri, Ismail Qemali etj”, tha në fjalën e tij Berisha.
Ndërkaq, shkrimtari turk i dhuroi kryeministrit Berisha romanin e tij të fundit, të botuar në shqip.
n.e/NOA