Tiranë, 17 maj, NOA - Nën Kujdesin e veçantë të Presidentit të Republikës, Bamir Topi dhe nën organizimin e Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve në Shqipëri, pritet të organizohet ditën e nesërme në mjediset e Teatrit të Operas dhe Baletit, spektakël humanitar dhe festiv për jetimët.
Në këtë veprimtari, bëhet e ditur për agjencinë e Lajmeve NOA se do të jenë të pranishëm ambasadorë shtetesh të akredituar në Shqipëri, 4 krerët e komuniteteve fetare, 60 yje të teatrit dhe kinemasë, 60 yje të sportit shqiptar në vite, 100 “Ambasadorë të Paqes”, 100 liderë të biznesit në mbështetje të motos “Biznesi në Ndihmë të Jetimëve” etj.
Artistët që do të interpretojnë në këtë aktivitet janë Ema Qazimi, “Artiste e Merituar”; Anita Take, “Mjeshtre e Madhe”; Luan Zhegu, “Artist i Merituar”; Sherif Merdani, Mefarete Laze, muzikantët “Qerimi”, Kastriot Tusha, Kori i Fëmijëve të Qëndrës Kulturore të Fëmijëve si dhe Kristi Popa.
n.e/NOA