Përmbledhje - Ekonomi - Zona Euro, Nën Presion, Kërkon Forcimin E Disiplinës Buxhetore
BRUKSEL, 17 maj /ATSH-AFP/ - Ministrat e Financave të zonës euro u shprehën të shqetësuar sot nga rënia e shpejtë e euros dhe premtuan shtimin e përpjekjeve për zvogëlimin e deficiteve të tyre me objektiv ndalimin e krizës së besimit që vazhdon të trondisë Bashkimin Monetar.
Ministrat e Financave të 16 vendeve të zonës euro u mblodhën sot rreth orës 15:00 GMT në Bruksel në mbledhjen e tyre të përmuajshme, në një kuadër shqetësimi të ri dhe rënieje shumë të madhe të monedhës unike.
Euroja ra sot në nivelin më të ulët që prej katër vjetëve përballë kartmonedhës së gjelbër në 1,2234 dollarë, për shkak të shqetësimeve për situatën buxhetore të zonës euro, përpara se të rifitonte pak terren.
"Nuk shqetësohem për vlerën aktuale të euros, por për shpejtësinë me të cilën ra vlera e saj e këmbimit", deklaroi kreu i grupit të ministrave të Financave të zonës euro, Jean-Claude Juncker, në fillim të mbledhjes.
Shqetësimet për borxhin e vendeve evropiane vazhdojnë pavarësisht planit të shpëtimit të zonës euro prej 750 miliardë euro i hartuar vetëm përpara tetë ditësh, për të shmangur një përhapje të krizës greke në shtete të tjera në vështirësi.
Komisioni Evropian propozoi në këtë kuadër kryerjen, që në vitin 2011, të një kontrolli nga BE mbi buxhetet e vendeve përpara se ato të dërgohen nga parlamentet kombëtare, për t'u siguruar se deficitet mbeten nën kontroll.
Por, disa vende, me në krye Gjermaninë, janë të vendosura të shkojnë më tej.
Ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schauble, u kërkoi sot partnerëve të zonës euro "zvogëlimin e deficiteve dhe forcimin e Paktit të Stabilitetit", që kufizon në parim nivelin e deficiteve kombëtare në 3 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Një ide e mbështetur gjerësisht nga homologët e tij.
Por, ai nuk e përjashtoi idenë e përfshirjes në kushtetutën e vendeve të tjera të zonës euro të një tavani për deficitet e tyre, siç bëri Gjermania vitin e kaluar. "Kjo është një çështje që duhet të diskutohet dhe që bën pjesë në mësime që mund të nxirren nga kriza", deklaroi ai.
Një dispozitë e re e Kushtetutës gjermane, që ka për qëllim kufizimin e borxhit të vendit, e detyron Berlinin të zvogëlojë deficitin duke filluar nga viti 2011 dhe ta kufizojë atë në rreth 10 miliardë euro në vit deri në vitin 2016 për ta çuar në kufirin e 0,35 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, PBB.
Nëse do të zbatohej në të gjitha vendet e zonës euro, një masë e tillë do të sillte miratimin e një disipline buxhetore shumë të lartë dhe forcimin në mënyrë drastik të Paktit të Stabilitetit Evropian.
"Duhet të shihet se në çfarë mase një dispozitë e tillë mund të pranohet nga të gjithë", u shpreh Juncker, duke theksuar në të njëjtën kohë se "duhet të bëjmë gjithçka dhe të gjithë për zvogëlimin e nivelit të borxhit publik në Evropë".
"Duhet të veprojmë shumë më të vendosur për deficitet", theksoi ministri austriak i Financave Josef Proll, i cili bëri të ditur gjithashtu mendimin e tij për të rritur presionin mbi Portugalinë dhe Spanjën për kursime buxhetore.
Këto dy vende njoftuan javën e kaluar masa të reja shtrënguese: uljen e pagave të funksionarëve në Spanjë, rritjen e TVSH-së, një taksë tjetër e jashtëzakonshme prej 1 për qind ose 1,5 për qind sipas të ardhurave në Portugali.
Ministrat e Financave të zonës euro sot dhe më tej të gjithë homologët e BE-së nesër, pritet t'i shqyrtojnë këto masa.
Italia po reflekton gjithashtu për të miratuar një qëndrim më të ashpër, që përfshin ndër të tjera ngrirjen e pagave të funksionarëve dhe shkurtime në buxhet.
/I.Pu.