English

Përurohet Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare

Tiranë, 17 Maj 2010 NOA - Në zonën ushtarake të Plepave në Durrës, u zhvillua sot ceremonia e përurimit të Qendrës Ndërinstitucionale Operacionale Detare (QNOD), një projekt bashkëkohor i mbështetur nga qeveria shqiptare. I pranishëm në këtë përurim ishte Kryeministri Sali Berisha, ministri i Mbrojtjes Arben Imami, ministri i Brendshëm Lulëzim Basha, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së, gjeneral brigade Maksim Malaj, deputetë, drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, gjeneralë dhe ushtarakë të Forcave tona të Armatosura, përfaqësues të pushtetit lokal etj.

Në fjalën përshëndetëse Kryeministri Berisha u shpreh se, tashmë kontrolli i kufijve detarë është vendosur në një standard me ato të vendeve të zhvilluara, në një standard europian.

Për krijimin e kësaj qendre janë bërë investime serioze. Sistemi i radarëve të saj ka kushtuar rreth 2.4 miliardë lekë dhe bazohet në teknologjinë më moderne. Kontrolli i hapësirës detare me radarë rrit në shkallë maksimale mundësinë e operacioneve të shpëtim-kërkimit.

Deti, ka vijuar më tej z. Berisha, është burimi pasurish të mëdha, burim kënaqësish të mëdha, por deti është jo rrallë burim fatkeqësisht të thella njerëzore, që ne shqiptarët i kemi përjetuar jo pak.

Në këtë kontekst, sistemi i vendosur lejon kontrollin e bregdetit shqiptar; u mundëson njësive tona të shpëtim-kërkimit, në çdo rast dhe në çdo rrethanë, operacione më të suksesshme. Por kontrolli i hapësirës detare të vendit ka një rëndësi të jashtëzakonshme dhe për parandalimin e trafiqeve dhe krimit të organizuar; luftës kundër kontrabandës, trafiqeve kriminale etj.

Shqiptarët kanë ndjekur me shumë kënaqësi rastet e muajve të fundit kur ju me sistemin e radarëve ia keni dalë të identifikoni, të ndaloni ngarkesa të mëdha trafiqesh kriminale, të cilat destinoheshin për në vende të tjera, duke bllokuar në këtë mënyrë eksportin e kriminalitetit, duke shndërruar brigjet shqiptare dhe ujërat e vendit në ujëra sigurie jo vetëm për Shqipërinë, por dhe për rajonin.

Sistemi i radarëve u plotësua, nënvizoi Kryeministri Berisha, por sërish ne do të mbajmë muratoriumin për skafet, sepse e vërteta është se ato janë industri kriminale e mafias. Ato as nuk janë përdorur e as nuk përdoren për hobi, janë përdorur dhe synojnë të përdoren vetëm për trafiqe kriminale.

Duke iu drejtuar punonjësve të kësaj Qendre, zoti Berisha theksoi se, me bashkëpunimin e shkëlqyer që keni vendosur me Rojën Bregdetare italiane dhe greke, ju do e bëni Adriatikun një prej deteve më të sigurt. Vende mike kanë propozuar që kjo qendër të shërbejë si një qendër moderne rajoni. U garantoj se qeveria do bëj çdo investim të nevojshëm që të jetë vërtetë një qendër shembullore për rajonin tonë dhe Adriatiku të jetë një nga detrat më të pastra, më të sigurta dhe më të qeta.

Janë brigjet e tij që përballen me një presion të jashtëzakoshëm të kriminalitetit, ndaj dhe ne duhet të bashkëpunojmë me të gjitha vendet: me Malin e Zi, Kroacinë, Greqinë, në mënyrë që ta bëjmë hapësirën tonë detare një hapësirë të sigurt për të gjitha vendet e rajonit”, - tha kryeministri.

Pas prerjes së shiritit të inagurimit nga ministri i Mbrojtjes Imami dhe ministri i Brendshëm Basha, kryeministri Berisha i shoqëruar nga personalitetet e larta, vizituan ambientet e QNOD-s.

Këtu, drejtori i Qendrës, Fiqiri Kupe foli për misionin dhe detyrën e rëndësishme që ka kjo qendër, duke u ndalur në veçanti në bashkëpunimin ndërdikasterial, si dhe në mbështetjen e madhe që ka dhënë qeveria për ngritjen e saj.

Gjithashtu oficerë dhe specialistë të saj dhanë shpjegime lidhur me funksionimin e Qendrës, në interes të përmbushjes së misionit të saj të rëndësishëm: vëzhgimit dhe monitorimit të hapësirës tonë detare.

r.n/NOA

KOMENTE