English

Poçi: Pasi të njihem me padinë e Olldashit do jap sqarime

Tiranë, 17 maj, NOA, Update - Historia disa vjeçare e kontratës së kompanisë amerikane “General Electrics”, e cila do të realizonte modernizimin e hekurudhës, Tiranë-Durrës nuk ka mbaruar.

Qeveria shqiptare pasi e humbi gjyqin në Arbitrazhin Ndërkombëtar duke u gjobitur me 12 milion euro, tashmë fajëson ish ministrin e Punëve Publike dhe Transportit, Spartak Poci për procedura të gabuara, duke kërkuar ndjekje penale për të.

Nëpërmjet një njoftimi, Ministria e Punëve Publike bën të ditur se zoti Poçi ka lejuar zbatimin pjesor të kontratës pa u miratuar më parë në parlament dhe ky fakt ka shërbyer si një provë e pakundërshtueshme që qeveria shqiptare të humbasë gjyqin.

Ndaj sipas ministrisë pagesa e shumës preh 12 milion euro është një kosto shtesë për buxhetin, ndërkohë që përgjegjësia është individuale e zotit Poçi.

Ky i fundit i kontaktuar për këtë njoftim të ministrisë u shpreh se pasi të informohet plotësisht për këtë reagim do të japë sqarimet e nevojshme. Pak muaj para zgjedhjeve të 2005 qeveria Nano miratoi projektin për modernizimin e hekurudhës Tiranë- Durrës duke përdorur trena të shpejtësisë së lartë.

Qeveria do të detyrohej që për herë të parë të përdorte kredi tregtare për realizimin e këtij projekti. Por pas ardhjes në pushtet të qeverisë Berisha, kjo kontratë u anulua me argumentin se kostot e tij ishin shumë të lartë dhe se nuk ishte një prioritet qeverisë. Pas këtij veprimi nisi kalvari i gjatë i ankimimeve në gjykatën ndërkombëtare.

r.l/NOA

KOMENTE