Qkr: Në 4 Muaj, Numri I Bizneseve Të Reja U Rrit 27 %
TIRANE 17 Maj/ATSH-A.Gjonaj/- Pavarësisht krizës ekonomike globale, në Shqipëri biznesi jo vetëm që po zhvillohet, por nga statistikat zyrtare rezulton se ka nisma për hapje të biznesit të ri.
Numri i bizneseve të reja të regjistruara pranë Qendrës Kombëatre të Regjistrimit (QKR), gjatë periudhës janar-prill të këtij viti është 2 mijë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Drejtori i Përgjithshën i QKR-së, Tomi Kola tha sot në një prononcim për ATSH-në se rritja e regjistrimeve të reja gjatë këtij viti është 27 %.
Z. Kola bëri të ditur se "rreth 70 për qind e bizneseve të reja të regjistruara në vitin 2009 i takojnë fushës së tregtisë, kryesisht biznes i vogël".
Por sipas tij, "rritje domethënëse ka njohur regjistrimi i bizneseve me kapital të huaj, shifër kjo rreth 4 herë më e lartë se në vitin 2008".
Sipas statistikave, në total në të gjithë vendin, numërohen rreth 130 mijë biznese.
Aktualisht, shërbimi i regjistrimit të një biznesi mundësohet në 29 bashki dhe dy dhoma tregtie. Ndërkohë që është hedhur ideja e regjistrimit on-line, projekt që është në hapat e parë./n.m/