Shënim - Lula Konfirmon Diplomacinë Allabraziliane
- Bashkëbisedim me të gjithë, ky është principi i presidentit ish-punëtor -
BRAZILIA, 17 maj /ATSH-ANSA/ - Marrëveshja aq shumë e kërkuar nga presidenti brazilian Luiz Inacio Lula da Silva dhe më në fund e nënshkruar sot ndërmjet Iranit, Brazilit dhe Turqisë, përfaqëson dëshminë e suksesit të diplomacisë "allabraziliane" në skenën botërore dhe të karizmës personale të presidentit brazilian, ish-inxhinier dhe sindikalist.
I biri i një punëtori krahu në Pernambuco, zona më problematike e Brazilit, që braktis bashkëshorten kur Luiz është ende i vogël, presidenti i ardhshëm në moshë të vogël mbijeton duke lustruar këpucët e kalimtarëve, por ëndërron të bëhet futbollist.
Megjithatë, fal këmbënguljes dhe sakrificave të nënës së tij, ai arrin të vazhdojë studimet dhe shumë shpejt konfirmon cilësitë e tij, më parë si punëtor dhe më pas si sindikalist. Lula bëhet një nga liderët dhe më pas presidenti i sindikatës së inxhinierëve pikërisht gjatë fazës më të ashpër të diktaturës ushtarake, por megjithatë arrin të kalojë disa reforma të rëndësishme që e bëjnë të jetë protagonisti i kronikave të medias.
E përditshmja izraelite Haaretz, e cilësoi sot presidentin brazilian si "profeti i dialogut". Ndoshta gjatë regjimit ushtarak ai mësoi se duhej të diskutonte me të gjithë. Dialogut për të është të mos refuzojë asnjë bashkëbisedues.
Gjatë mandatit të parë si president i Brazilit, ai dialogon përzemërsisht dhe vlerësohet si nga Hugo Çavez dhe nga Fidel Kastro, po ashtu edhe nga Xhorxh Bush, i cili e fton edhe për peshkim, dhe bëhet ndërmjetësuesi midis palëve kur marrëdhëniet tensionohen.
Qeveria e tij, më shumë se ekzekutivi i parë i majtë në Brazil, duket një qeveri e vërtetë e bashkimit kombëtar, sepse opozitarët ishin gjithmonë e më të pakët, madje deri në atë fazë sa që popullariteti i tij arriti në 83 për qind, një nivel rekord për një demokraci të plotë.
Shembulli se si punon diplomacia braziliane nuk vetëm ky i sotmi. Para se të humbte jetën nga një makinë bombë në Bagdad, në vitin 2003, Serxho Viera de Mello ishte dërguar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara në Irak sepse sekretari i Përgjithshëm Kofi Annan e përkufizoi si "personi i duhur për të zgjidhur çdo problem" dhe e konsideronte si pasuesin e tij.
Kohët e fundit, e përditshmja Financial Times e cilësoi ministrin e Jashtëm të Lulas, Celso Amorim, si ministrin më të mirë të Jashtëm aktualisht. Në fakt është pikërisht Amorim i cili ndërthuri "aksin diplomatik" me Turqinë dhe bëri të mundur marrëveshjen e sotme me Iranin.
Me Ahmadinexhadin Lula ka "rrezikuar" shumë. Ai miratoi zgjedhjen e tij në mandatin e dytë, pavarësisht denoncimeve për manipulime dhe represion brutal të protestave, e ftoi në Brazilia pavarësisht se bota perëndimore kërkoi izolimin, mbrojti me fortë të drejtën për kërkimet bërthamore, sigurisht vetëm për qëllime paqësore, dhe siç tha ai vetë: "kemi krijuar një marrëdhënie besimi sepse mendojmë se me besim dhe dialog është e mundur të ndërtohet paqja dhe zhvillimi".
Nëse deklarata e nënshkruar sot do të miratohet si një zgjidhje konkrete e çështjes bërthamore iraniane, kandidati për sekretar të përgjithshëm të OKB-së mund të jetë pikërisht ai, Luiz Inacio Lula da Silva, mandati presidencial i të cilit përfundon në dhjetor të këtij viti, dy muaj para atij të Ban Ki-Moon.
/e.v/