English

Shënim - Marrëveshja E Iranit Me Turqinë Dhe Brazilin

ROMË, 17 maj /ATSH-ANSA/ - Me deklaratën që nënshkroi sot me Turqinë dhe Brazilin, Irani angazhohet të arrijë në një marrëveshje konkrete për të dorëzuar 1200 kilogramë uranium të pasuruar deri në 3.5 për qind, thënë ndryshe 70 për qind të sasisë së uraniumit që është faktuar se disponon. Kjo përjashton mundësinë që Irani ta pasurojë këtë sasi uraniumi deri në 90 për qind, aq sa është e nevojshme për të prodhuar bombën bërthamore. Në këmbim Irani do të marrë 120 kilogramë lëndë bërthamore të përftuar nga uranium të pasuruar deri në 20 për qind, që do të përdoret për të vënë në punë një reaktor bërthamor në Teheran, për qëllime mjekësore. Ky reaktor prodhon izotope radioaktivë që përdoren për trajtimin e kancerit në 200 spitale iraniane. Karburanti që u importua nga Argjentina 17 vjet më parë tashmë po mbaron. Marrëveshja e re ndryshon pjesërisht një projektmarrëveshje që u propozua në tetor të vitit 2009 nga IAEA, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore, me aprovimin e SHBA-së, Rusisë dhe Francës, në bazë të së cilës, 1200 kilogramët e uraniumit do të pasuroheshin deri në 20 për qind në Rusi dhe më pas do të transformoheshin në karburant bërthamor në Francë dhe më pas do të riktheheshin në Teheran. Por marrëveshja e re parashikon që uraniumi iranian të mbetet i depozituar në Turqi, në pritje që nga jashtë t'i dorëzohen Iranit 120 kilogramët e karburantit. Nëse një gjë e tillë nuk do të ndodhte, Turqia duhet t'i kthejë "menjëherë" Iranit uraniumin që kishte marrë më parë. Deklarata e nënshkruar sot, do t'i komunikohet IAEA-s nga ana e Iranit brenda shtatë ditësh. Në rast të një përgjigje pozitive nga ana e IAEA-s, Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe Francës, detajet e shkëmbimit do të përcaktohen nga palët. Në vazhdim Irani duhet t'ia dorëzojë uraniumin Turqisë brenda një muaji, ndërsa pala tjetër duhet t'i dorëzojë 120 kilogramët e lëndës bërthamore jo më vonë se një vit. Në pikën e parë të deklaratës së sotme konfirmohet se Irani, si një anëtar i Traktatit të mospërhapjes bërthamore (TNP), "ka të drejtën... për të zhvilluar kërkimin, prodhimin dhe përdorimin e energjisë bërthamore (përfshi ciklin për prodhimin e karburantit me aktivitetet pasurimi), për qëllime paqësore dhe pa diskriminime. /e.v/
KOMENTE