Shënim - Moratinos: Konferenca E Sarajevës Pikë Kthese Në Integrimin E Ballkanit Perëndimor Në Be
BRUKSEL/SARAJEVË, 17 maj /ATSH-MIA/ - Ministri i Jashtëm spanjoll dhe njëkohësisht kryesuesi aktual i Këshillit të Ministrave të BE-së, Miguel Angel Moratinos deklaroi se pret që konferenca "BE-Ballkani Perëndimor" e caktuar për më 2 qershor në Sarajevë të jetë kthesë në integrimin e shteteve nga Ballkani Perëndimor në BE.
"Konfirmoj se konferenca në Sarajevë është e përgatitur mirë'', deklaroi Moratinos.
Sipas tij, dëshira e organizatorëve është që në konferencë të jenë pranishëm të gjithë dhe jo vetëm 17-të vende evropiane, por edhe Rusia, SHBA-ja dhe Turqia, me qëllim që së bashku të sigurohet stabiliteti dhe prosperiteti i tërë rajonit.
Moratinos konsideron se kjo konferencë do të jetë kontributi më i madh i presidencës spanjolle për Ballkanin Perëndimor, me qëllim "të gjitha shtetet të ecin përpara, të repektojnë njëra-tjetrën, të tregojnë interes për rajonin dhe afrimin drejt BE-së".
Ndërkohë, shefi i delegacionit të Parlamentit Evropian për Bosnjen, Serbinë, Malin e Zi dhe Shqipërinë, Eduard Kukan, gjithashtu, jep shpresa të mëdha në takimin në Sarajevë.
Ai deklaroi se Moratinos ka diskutuar me entuziazëm të madh për konferencën përpara Komisionit të Parlamentit Evropian për Çëshjet e Jashtme.
Ministri sllovak i Punëve të Jashtme, Miroslav Lajçak, njohës i mirë i mundësive në rajon, deklaroi se është "i kujdesshëm çdo herë kur paraqiten iniciativa të mëdha".
"Të gjitha vendet në rajon duhet të punojnë në detyrat e tyre të shtëpisë'', deklaroi ai.
Në Sarajevë kanë filluar tashmë përgatitjet logjistike për konferencën.
Sipas gazetës "Dnevni Avaz", përfaqësuesit e Ministrisë të Punëve të Jashtme të Spanjës prej disa ditësh ndodhen në kryeqytetin e Bosnjes për shkak të përgatitjeve që kanë të bëjnë me pritjen e 47 delegacioneve.
Pritet që konferenca të zhvillohet në ndërtesën e parlamentit boshnjak, ndërsa mbërritja e një numri të madh delegacionesh do të jetë sfidë e vërtetë për shërbimin e sigurisë dhe për protokollin boshnjak./ a.jor.