Gjirokastër, 17 maj, NOA – Jo vetëm që nuk iu bindën urdhrave të policëve për të ndaluar në rrugë, pasi ishin duke ecur me shpejtësi të madhe, por drejtuesit e dy motoçikletave kanë guxuar të shpërthejnë edhe postbllokun policor pa pranuar të ndalojnë.
Kjo ka mjaftuar që drejtuesit 21-vjeçarë të motoçikletave, përkatësisht Klemend Killo dhe Indrit Belegu; që të dy nga qyteti i Durrësit, të arrestohen në flagrancë nga forcat e policisë së Gjirokastrës.
Lajmi konfirmohet prej këtyre të fundit për agjencinë e Lajmeve NOA, duke sqaruar se që të dy këta persona po udhëtonin me motoçikletat e tyre nga Saranda në drejtim të Durrësit dhe në vendin e quajtur Derviçan, patrulla e qarkullimit rrugor u ka bërë shenjë të ndalojnë pasi po udhëtonin me shpejtësi të madhe.
Por asnjëri prej tyre nuk ka ndaluar dhe ka vazhduar rrugën me shpejtësi akoma më të madhe, madje ka shpërthyer edhe postbllokun e vendosur nga policia.
Më tej, kapja e tyre është mundësuar njëra në vendin e quajtur Uji i Ftohtë i Tepelenës dhe tjetra në afërsi të Subashit.
Ndërkaq, një motoçikletë e tretë që drejtohej nga Kreshnik Kuçi ka ndaluar në kohën e duhur, ndërsa drejtuesi i saj është vetëdorëzuar në polici dhe është lënë në gjendje të lirë.
Kurse për dy të tjerët ka nisur hetimi për veprat penale “Fyerje për shkak të detyrës” , “Kundërshtim i punonjësve të Rendit Publik”, ”Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së Rendit Publik”, vepra këto të parashikuara nga nenet 239, 236 dhe 242 të Kodit Penal.
n.e/NOA