Sport-Futboll/ Fshf, Hetime Për Goleadat E Dyshimta Në Kampionatin Shqiptar
TIRANË, 17 Maj / ATSH- Gjergji Mima/- Golaeadat e fundjavës në ndeshjet e kategorisë Superiore dhe të Kategorisë së Parë, kanë ngjallur dyshime tek drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit, të cilët kanë paralajamëruar hetime për këto goleada.
Gjithçkaje i parapriu ndeshja e së premtes Besa-Gramozi 6-4 në Superiore. Por kjo u përsërit në mënyrë jashtë mase të ekzagjeruar në Kategorinë e Parë, ku në vetëm dy ndeshje u shënuan 22 gola: Elbasani-Bylis 8-4 dhe Kamza-Turbina 10-0. Dhe më e çuditshmja qëndron në faktin se të gjithë këto gola, nga 8 gola për secilën ndeshje janë shënuar vetëm pas minutës së 70.
Deri në ato momente bëhej fjalë për rezultate normale. Dhe pas kësaj nuk ka se si të mos dyshosh. Tashmë nuk është më e fshehtë. Dyshimet e mëdha për trukimin e këtyre dy rezultateve të Kategorisë së Parë janë konfirmuar nga vetë FSHF, nëpërmjet shefit të Sektorit të Garave, Ilir Shulku.
Federata Shqiptare e Futbollit ka mbledhur sot Komisionin e Disiplinës dhe priten ndëshkime për ekipet. "Ne jemi të informuar për çfarë ka ndodhur dhe do të kërkojmë të marrim masat tona", sqaron shefi i Garave, Shulku, i cili sqaron se mbi bazën e të dhënave të gjyqtarëve, vëzhguesit dhe të deleguarit të ndeshjes, Komisioni i Disiplinës do të marrë vendimet përkatëse.
Ky nuk është rasti i parë që në kampionatin shqiptar të futbollit ndodhin ngjarje të tilla. Ka ndodhur edhe në vitin 1993 në Kupën e Shqipërisë. Në atë kohë, Kupa luhej fillimisht në grupe dhe në njërin prej tyre, ku merrnin pjesë katër skuadra: Tirana, Elbasani, Dinamo e Vllaznia u pa e njëjta histori si të shtunën në Kategorinë 1. Tirana fitoi 8-1 me Elbasanin, ndërsa Dinamo-Vllaznia 0-5. Falë golavarazhit u kualifikua Tirana. Por FSHF atëherë nuk ndërmori asnjë hetim për këto rezultate./s.s./