Sport-Merkato/ Arsenal Interesohet Për Lorik Canën
TIRANË, 17 Maj / ATSH- Gjergji Mima/.-Mesfushori Lorik Cana, kapiteni shqiptar i Sandërlendit, përfundon sërish në qendër të merkatos.
Për të interesohet Arsenali i trajnerit Arsen Venger. Lajmin e bëjnë të ditur faqja sportive angleze "justarsenal.com". Cana, i cili konsiderohet si një objektiv interesant i Vengerit, ka qenë në shënjestrën e Arsenalit edhe gjatë verës së kaluar.
Sipas "justarsenal.com", Cana pëlqehet nga tifozët e Arsenalit, të cilët u tronditën pas kalimit të tij te Sandërlendi për vetëm 5 milionë sterlina, ku zhvilloi një sezon të shkëlqyer.
Megjithatë gjithçka do të qartësohet kur Cana të rikthehet në Angli, pasi për momentin ndodhet në Kosovë, ku po kalon pushimet me familjen. Por ende nuk është e sigurt, nëse trajneri Stive Brus do të lejojë që të largohet kapiteni i tij./s.s./