Sport-Xhudo/ Majlinda Kelmendi Synon Pjesëmarrjen Në "Londër 2012"
TIRANË, 17 maj / ATSH- Gjergji Mima/- Xhudistja kosovare Majlinda Kelmendi, e cila konkurron për ngjyrat kuq e zi të Shqipërisë, ka fituar medaljen e artë në turneun e Tunizisë, të zhvilluar fundjavën e kaluar. Pas kësaj fitoreje, 18-vjeçarja ka fituar vetëbesim dhe tani synon të triumfojë edhe në sfidën e saj të radhës.
Më 3 dhe 4 korrik Kelmendi do të marrë pjesë në një garë tjetër shumë të rëndësishme dhe të fortë - 'Grand Slam', që zhvillohet në Moskë të Rusisë. Kjo garë, sikurse 'Grand Prix', sjell pikë olimpike për një xhudist.
Kelmendi beson se edhe në Rusi do të dëshmojë vlerat e saj të vërteta dhe të kthehet si triumfuese. "Edhe në Moskë do të dëshmoj vlerat e mia përballë çdo rivaleje", tha sot Kelmendi për mediat.
Medalja e artë në turneun e Tunizisë, që e arriti duke mposhtur spanjollen Ana Carrascosës, i ka sjellë kosovares 200 pikë olimpike.
"Shpresoj se do të mbledh sa më shumë pikë dhe të jem në Lojërat Olimpike, që është ëndërr e çdo sportisti", tha Kelmendi.
Me këtë fitore, Kelmendi i ka rritur shanset për pjesëmarrje në Lojërat Olimpike të vitit 2012, që mbahen në Londër./s.s./